Vendosni fjalën kyçe....

Superjahti i manjatit britanik nën ruajtje të rreptë, besohet se ka informacione konfidenciale të shërbimeve sekrete


Zhytësit specialistë që po vëzhgojnë rrënojat e superjahtit 40 milionë dollarësh që u mbyt në Sicili në gusht, duke vrarë shtatë persona, përfshirë manjatin e teknologjisë britanike, Mike Lynch, kanë kërkuar siguri të shtuar për ruajtjen e anijes, për shkak të shqetësimeve se të dhënat sekrete të mbyllura në kasafortat e saj mund t’u interesojnë qeverive të huaja, thanë burime të shumta për CNN.

Prokurorët italianë që kanë hapur një hetim penal për akuzat e vrasjes nga pakujdesia dhe mbytjes së anijes nga pakujdesia mendojnë se jahti 56 metra, “Bayesian”, mund të përmbajë të dhëna shumë të ndjeshme të lidhura me disa shërbime të inteligjencës perëndimore, thanë katër burime të njohura operacionin e hetimit dhe shpëtimit të rrënojave të jahtit.

Lynch ishte i lidhur me shërbime të inteligjencës britanike, amerikane dhe shërbime të tjera përmes kompanive të tij të ndryshme, duke përfshirë kompaninë e sigurisë kibernetike që ai themeloi, “Darktrace”.

Kjo kompani iu shit firmës së kapitalit privat me bazë në Çikago, “Thoma Bravo” në prill. Kompania e gruas së Lynch “Revtom Limited” që zotëronte jahtin, ishte gjithashtu një këshilltare e kryeministrave britanikë David Cameron dhe Theresa May për shkencën, teknologjinë dhe sigurinë kibernetike gjatë mandatit të tyre, sipas të dhënave të qeverisë britanike dhe publike të “Darktrace”.

Jahti i fundosur, që ndodhet i shtrirë në shtratin e detit në një thellësi prej rreth 50 metrash, mendohet të ketë kasaforta të papërshkueshme nga uji që përmbajnë dy harddisqe super të koduara që mbajnë informacione shumë të klasifikuara, duke përfshirë fjalëkalime dhe të dhëna të tjera të ndjeshme, tha për CNN një zyrtar i përfshirë në planet e shpëtimit, që foli në kishte anonimiteti. Zhytësit specialistë me kamera në distancë kanë kontrolluar në mënyrë të kujdesshme jahtin.

Fillimisht, forcat vendase të zbatimit të ligjit kishin frikë se hajdutët e mundshëm mund të përpiqeshin të arrinin rrënojat për të gjetur bizhuteri të shtrenjta dhe objekte të tjera me vlerë ende në bordin e jahtit, sipas zhytësve me Brigadën e Zjarrfikësve që folën me CNN.

Tani ata janë të shqetësuar se rrënojat, që pritet të ngrihen lart në javët e ardhshme si pjesë e hetimit penal për tragjedinë, do jenë gjithashtu me interes për qeveritë e huaja, duke përfshirë Rusinë dhe Kinën. Ata kanë kërkuar që jahti të ruhet nga afër, si mbi ujë ashtu edhe me mbikëqyrje nënujore.

“Një kërkesë zyrtare është pranuar dhe zbatuar për siguri shtesë të rrënojave derisa jahti të nxirret “, konfirmoi për CNN një zyrtar i autoritetit të mbrojtjes civile siciliane që po ndihmon me hetimin penal.

Lynch, vajza e tij 18-vjeçare Hannah, avokati amerikan Chris Morvillo dhe gruaja e tij Neda, bankieri britanik Jonathan Bloomer dhe gruaja e tij Judy, dhe kuzhinieri i jahtit në bord Recaldo Thomas vdiqën kur jahti u fundos në një stuhi të dhunshme në orët e para të mëngjesit.

Rezultatet paraprake nga autopsitë sugjerojnë se çiftet Bloomer dhe Morvillo vdiqën nga mbytja ose asfiksia kur oksigjeni në një flluskë ajri të mbetur në një cep të dhomës së gjumit mbaroi. Rezultatet e autopsisë për Lynch dhe vajzën e tij mbeten më pak të qarta.

Shefi i kuzhinës, trupi i të cilit u gjet jashtë anijes, vdiq nga mbytja, tha mjekja ligjore. Raportet e toksikologjisë për të vdekurit nuk janë publikuar ende, por asnjë nuk kishte pësuar lëndime fizike kur anija u rrëzua.

Gruaja e Lynch, Angela Bacares dhe 14 të tjerë mbijetuan, duke përfshirë kapitenin James Cutfield, i cili, së bashku me një marinar dhe inxhinierin e dhomës së motorit të jahtit. Cutfield është nën hetim për vrasje të shumëfishtë dhe shkaktim të mbytjes së jahtit nga pakujdesia. Ata të gjithë janë lejuar të largohen nga Italia.

Disa nga 15 të mbijetuarit, nga të cilët nëntë ishin anëtarë të ekuipazhit dhe gjashtë ishin udhëtarë, duke përfshirë një vajzë 1-vjeçare, thuhet se u thanë prokurorëve se Lynch “nuk u besonte shërbimeve cloud” dhe mbante gjithmonë disqet e të dhënave në një ndarje të sigurt të jahtit. kudo që lundronte, i tha CNN një burim në zyrën e prokurorit. Asnjë nga ekuipazhi ose udhëtarët që i mbijetuan incidentit nuk u testuan për drogë ose alkool sepse ishin në një “gjendje shoku”, thanë autoritetet gjatë një konference për shtyp pas gjetjes së trupave.

Morvillo përfaqësoi Lynch-un kur ai u shpall i pafajshëm në një rast mashtrimi kriminal në SHBA në qershor të lidhur me blerjen nga “Heëlett Packard” të kompanisë së tij të softuerit “Autonomy”, dhe të mbijetuarit u thanë hetuesve se lundrimi ishte një festë pas fitimit të çështjes, sipas ndihmësprokurorit Raffaele Cammarano.

Megjithëse Lynch u lirua nga çdo keqbërje kriminale në SHBA, “Heëlett Packard” ka theksuar se nuk do heqë dorë nga kërkesa e saj për të marrë një pagesë civile prej 4 miliardë dollarësh nga pasuria e Lynch, e dhënë nga një gjykatë britanike në vitin 2022.

Në atë që duket të jetë një rastësi tragjike, partneri i biznesit i Lynch-it, Stephen Chamberlain, i cili ishte i bashkëpandehur në çështjen e mashtrimit në SHBA dhe ish-shef operativ i “Darktrace”, vdiq më 19 gusht, në të njëjtën ditë që “Bayesian” u fundos, pasi u godit nga një makinë ndërsa po vraponte.

Një zëdhënës i zyrës së prokurorit i tha CNN se Cutfield u tha atyre se Lynch kishte mësuar për gjendjen e rëndë të Chamberlain dhe kishte planifikuar të shkurtonte lundrimin për t’u kthyer në Britani për të parë partnerin e tij të biznesit, i cili po mbahej në jetë nga aparaturat.

52-vjeçari Stephen Chamberlain, një ish-zëvendësdrejtor i financave te kompania e Lynch “Autonomy”, u godit nga një makinë teksa po vraponte, tha avokati i tij Gary Lincenberg për CNN.

“Bayesian” u fundos disa orë para se Chamberlain të vdiste në spital, tha avokati i tij. Lynch nuk arriti të merrte vesh vdekjen e partnerit të tij ndërsa Chamberlain ishte në koma dhe nuk arriti të informohej për mbytjen e anijes, tha këshilltari ligjor i Chamberlain.

Prokurori vendas Ambrogio Cartosio tha se asnjë send personal, duke përfshirë kompjuterat, bizhuteritë ose harddisqet e Lynch nuk janë gjetur në jaht. Sidoqoftë, harddisqet në bord dhe kamerat e vëzhgimit të lidhura me sistemin e navigimit të jahtit janë sjellë te hetuesit për të përcaktuar nëse ka ndonjë të dhënë të përdorshme që mund të tregojë se si jahti u fundos brenda 16 minutave nga goditja e stuhisë. Anija nuk kishte një kuti të zezë të zakonshme ose regjistrues të të dhënave të udhëtimit për të regjistruar të dhënat e lundrimit ose audion.

Pasi zhytësit të plotësojnë hetimet e mbytjes këtë javë, ata do bëjnë sugjerime se si të nxirret jahti 473 tonëshe pa derdhur 18,000 litrat e karburantit ende në bord dhe si të sigurohen që të dhënat sekrete të mos bien në duart e gabuara. Koston e nxjerrjes së jahtit do e paguajë pronarja e tij, e veja e Lynch-it, siç kërkohet nga ligji italian i detit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani