I dyshuari, i arrestuar pranë fushës së golfit të Donald Trump-it, kishte shkruar një shënim muaj më parë ku deklaronte se synonte të vriste ish-presidentin, sipas një dokumenti të paraqitur në gjykatë. “Ky ishte një atentat ndaj Donald Trump-it,” shkruhet në shënim.
Në dokumentet e dorëzuara të hënën, prokurorët thanë se letra ishte dërguar në shtëpinë e një dëshmitari disa muaj para incidentit të 15 shtatorit në Florida. Ryan Routh, 58 vjeç, pritet të paraqitet në një gjykatë federale më vonë gjatë ditës së sotme dhe mund të përballet me akuza të tjera, sipas BBC.
Aktualisht, ai përballet me dy akuza për armë. Shënimi i shkruar më herët duket se paralajmëronte një atentat të dështuar. “Dështova. Bëra ç’munda dhe dhashë gjithë forcën time,” thuhet në të.
Dokumentet gjyqësore tregojnë gjithashtu se një kuti që përmbante letrën, municione, materiale ndërtimi, vegla dhe katër telefona ishte lënë në shtëpinë e dëshmitarit të paidentifikuar para incidentit. Routh është mbajtur në burg që nga arrestimi i tij më 15 shtator, kur policia tha se e kishte parë me një pushkë të stilit SKS në një zonë me bimësi pranë fushës së golfit të Trump-it në West Palm Beach.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se ai kishte 11 fishekë në incident, një prej të cilëve ishte i ngarkuar në armë.