Vendosni fjalën kyçe....

Një gjyqtare çon SPAK-un në Kushtetuese dhe zbulon skandalin e prokurorit Behar Dibra


Nga Habjon Hasani

Një gjyqtare e Gjykatës Administrative të Tiranës, ka certifikuar skandalin me Komisionin e Vlerësimit të Figurës nga SPAK (KVF), i raportuar një javë më parë nga Hashtag.al si një komision ekstra-kushtetues që praktikisht po kryente grusht shteti në sistemin juridik shqiptar.

Gjyqtares Selvie Gjoçaj i ra shorti që të shqyrtonte padinë e gjyqtarit Gerd Hoxha, të cilin komisionin special KFV e eleminoi me pretendimin se i kishte dhënë dorën Erion Veliajt në një pritje të ambasadës britanike, ndonëse Hoxha ishte certifikuar nga organet madhore të vetingut sa i takon pastërtisë së figurës.

Pasi është njohur me padinë e kolegut Gerd Hoxha, gjyqtarja ka “kapur në ajër” problemin e komisionit special KVF të kontrolluar nga SPAK dhe e ka adresuar çështjen për zgjidhje në Gjykatën Kushtetuese, duke certifikuar në këtë mënyrë ekzistenën e një skandali dhe të një komisioni special KVF që praktikisht rezulton si një kleçkë që ka zhbërë gjithë rendin kushtetues dhe rregullat e lojës në sistemin e drejtësisë.

Ky vendim i gjyqtares Gjoçaj që mund të quhet dhe i guximshëm, në kushtet e një represioni dhe frike të përgjithshme që ekziston në sistem, i hap rrugë adresimit të këtij skandali, ndërsa ekstra-kompetencat që posedon sot SPAK-u, kompleksojnë çdo gjyqtar në vend, përfshirë dhe ata të Kushtetueses që janë pa asnjë lloj imuniteti ndaj çdo inkursioni për hetimin e tyre nga SPAK dhe të ekspozuar totalisht nga montimi i dosjeve për ta.

Ekspozimi i Behar Dibrës

Padia e bërë nga gjyqtari Gerd Hoxha zbulon dhe një skandal shtesë që përfshin prokurorin e SPAK-ut Behar Dibra.

Ky i fundit ishte pjesë e komisionit special KVF që e skualifikoi Gerd Hoxhën si kandidat për Gjykatën Speciale me pretendimin se kishte takuar Erion Veliajn në një “ziafet”.

Mirëpo siç zbulon padia, Gerd Hoxha rezulton se është “de facto” aktualisht gjykatës i komanduar në Gjykatën Speciale (GJKKO) dhe nga procesverbali i njërës prej seancave ai para se të niste seancën ka pyetur prokurorin Dibra:

Zoti Dibra në cilësinë e anëtarit të komisionit special ju keni firmosur papajtueshmërinë time si gjyqtar, a nuk duhet që tani menjëherë të kërkoni përjashtimin tim si gjyqtar ose të jepni vet dorëheqjen nga kjo çështje?

Në procesverbal të së njëjtës seancë, prokurori Dibra i përgjigjet se ishte mëse dakord që zoti Gerd Hoxha të vazhdonte gjykimin e çështjes nga zoti Hoxha si gjyqtar i komanduar.

Mjafton ky procesverbal për ta vendosur prokurorin Dibra me shpatulla për muri dhe për ta kapur gafil në veprime kontroverse dhe thuajse-antiligjore, por të diskretitosh Behar Dibrën e ta kryqëyosh për këto gafa, është rruga më e thjeshtë. Por nuk mjafton.

Është me më tepër rëndësi të kuptuarit e kontekstit dhe “lojës së madhe” që po kurdiset aktualisht në sistemin e drejtësisë.

Fjala vjen, a e dinte dhe a është i ndërgjegjshëm prokurori Dibra se ka firmosur dy procesverbale plotësisht në kundërshtim me njëra tjetrën, ku në njërin procesverbal firmos që Gerd Hoxha nuk është gjyqtar i besueshëm ndërsa në seancë deklaron me procesverbal se është dakord që Hoxha të vazhdojë gjykimin?

Sigurisht që është i ndërgjegjshëm dhe sigurisht që Behar Dibra nuk do e dëshironte kurrë që ta shihte veten në të tilla kontraste.

Por çfarë e detyron atëherë që të vendoset në të tilla kontraste?

Pikërisht ky është thelbi i problemit, të kuptuarit pse sistemi dhe veprimet ekstra-ligjore çojnë një prokuror me përvojë si Behar Dibra të ndërrmarë veprime që në thelb diskretitojnë atë vet.

Gjasat janë se kur Behar Dibra ka firmosur si anëtar i KVF-së dhe SPAK për ndëshkimin e gjyqtarit Gerd Hoxha, zoti Dibra ka zbatuar i detyruar një urdhër okult, të një fuqie okulte në SPAK ose një konjukturë ndërkombëtare.

Por pak kohë më vonë në seancë, kur ai personalisht (dhe jo kolegjialisht me KVF-në), gjyqtari Behar Dibra ka shfaqur vetveten, atë që ai realisht mendonte jashtë presionit okult dhe i ka deklaruar gjyqtarit Gerd Hoxha se nuk kishte asnjë problem me të si drejtues seance.

E parë në këtë perspektivë, ajo çfarë ka ndodhur me Behar Dibrën është një provë e kulluar dhe një tregues arbitrar se deri në ç’masë i përçudnon dhe i vendos në presion, fuqia okulte e SPAK-ut dhe forcave të huaja ndërkombëtare që qëndrojnë si skenaristë të kësaj estrade.

Është shumë kollaj të bësh qepaze Behar Dibrën për këtë qëndrim të dyfishtë, por ky do ishte një reagim impulsiv i papjekur, pasi në fakt situata e tij kërkon një trajtim profesional ku me rëndësi absolute është që ne të kuptojmë diçka tjetër:

Çfarë sistemi paskemi ndërtuar ne që detyron një profesionist si Behar Dibra të përçudnojë veten?

Kujt i shërben ky sistem?

Ku po shkojmë?

Apo për të vazhduar dhe më tej me pyetjet:

Si shpjegohet që këto padrejtësi i bëhen një gjyqtari të afirmuar nga vettingu si Gerd Hoxha?

Po nëse ky sistem shkel me të dyja këmbët Gerd Hoxhën dhe përçudnon Behar Dibrën, po me një qytetar e shtetas pa takate fare çfarë bën ky sistem?

Po medias çfarë i bën ky sistem dhe kjo makineri që shtyp pa ju dridhur dora?

Fjala vjen, si shpjegohet që gazetarë me përvojë në gjykata e prokurori dhe media të tëra raportojnë çdo ditë detaje nga më të imtësishmet nga anëtarë të rëndomtë bandash rruge por nuk kanë asnjëherë fokus faktin se makineria që është krijuar po shtyp dhe po përdhos prokurorë e gjyqtarë?

Mund ta bëjmë hesapin dhe me rregull treshi, nëse kjo makineri shtyp gjyqtarë e prokurorë, po medias çfarë i bëjnë këta?

Të gjithe këto në fakt janë pyetje e dilema që shqetësojnë posaçërisht jo SPAK-un, por skenaristët ndërkombëtarë që ndikojnë në mënyrë okulte këtë institucion bashkë me organet e tjera të drejtësisë.

Këta skenaristë, përveçse në pjesën dërrmuese janë ekspertë pa asnjë profil të spikatur në shtetet nga vijnë, luajnë  rol të dorës së parë sidomos në dy drejtime:

-1. Duan kontroll absolut dhe ekstra-kushtetues mbi SPAK për të çuar përpara projektin e ndëshkimit politik të kastës drejtuese të vendit.

-2. Nuk duan absolutisht të flitet në media për rezultatet e reformës në drejtësi.

Nëse për pikën 1. dhe ndëshkimin e kastës drejtuese, janë deri diku të kuptueshëm, në lojën e tyre gjeopolitike, se fundja Berisha, Meta, Rama e Nano vet i kanë bërë ujditë me ta në 3 dekada, sa i takon pikës së dytë, rezultatet e reformës, këto nuk lidhen thjesht me kastën por me Shqipërinë dhe cilindo qytetar të vendit.

Një raport i organizatës InfoChip tregonte ca kohë më parë se numri i çështjeve të mbetura stok në prokuroritë dhe gjykatat e vendit ishte 630% më i lartë se periudha para reformës në drejtësi.

Ndërkohë prokuroritë dhe gjykatat, sidomos ato të rretheve, janë duke u përballur dhe me një përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së gjykimit dhe dhënies të së drejtës.

Mjafton ky raport i organizatës InfoChip për të kuptuar se jemi përballë një murtaje në sistemin e drejtësisë, e cila po ngjan si një “excrementum”, por i ambalazhuar me lavde ndërkombëtarësh dhe bujë tollumbacesh mediatike.

Ndoshta ky është dhe kontrasti me i fortë mbi të gjithe kontrastet e tjera episodike, pasi po lëvdojmë e brohorasim një reformë që po gjunjëzon shtetin e së drejtës si asnjëherë më parë. / Hashtag.al