Nga Edison Ypi
Të bësh një reportazh pa vajtur është sikur të vdesësh pa lindur.
Por kur pa vajtur në dyqan mund të blesh në Internet, pa vajtur në shkollë mund të marrësh diplomë, pa vajtur në punë mund të marrësh rrogë, pse të mos bësh një reportazh pa vajtur atje ku ka ndodhur, për shembull, një vrasje. Reportazh duke vajtur e bëjnë të gjithë. Zotësia është ta bësh pa vajtur.
Ja si bëhet një reportazh pa vajtur në fshatin ku ka ndodhur vrasja;
Rruga duhet paraqitur e vështirë, e lodhëshme, cfilitëse. Majtas-djathtas rrugës tokat janë të papunuara. Kalimtarë dhe banorë lokalë me sy të përgjakur si vrasësa. Fshatarë të rreckosur të uritur gati për të ngrënë njëri-tjetrin. Gjithandej Lula të vocërr të uritur me grushta shtrënguar që mezi presin të bëhen spiuna dhe atentatorë. Dyqanet shesin me lista. Rinia përtyp fara. Njerëz si kufoma që kërrcasin dhëmbët, gati për tu organizuar në njësite guerrile. Zemërata popullore zjen. Kavaja si Bagdadi. Lushnja si Kabuli, Roskoveci si Kandahari.
Në fakt rruga deri te fshati ku ka ndodhur vrasja është autostradë plot me kafenera, restoranta, barkderra që hanë male mishi, patatate të skuqura, plënca, gjëndra viçi, dhe pinë raki me opingë. S’ka asnjë pëllëmbë tokë të papunuar. Qytetet janë më se normale për një vend të dalë nga diktatura më kriminale. Qytetarët nuk mbajnë pare xhepi por karta krediti.
Por për të treguar se bërja e një reportazhi pa vajtur është shumë më e vështirë se bërja e një reportazhi ku ke vajtur, tabloja duhet paraqitur sa më e mjerë, sa më dramatike.
Reportazhi i bërë pa vajtur, duhet ta thotë qartë se rruga për te fshati ku ndodhi vrasja ishte e pa asfaltuar, gjith gropa, ferra, pengesa, dhe fshati ishte tepër larg.
Që reportazhi në fshatin ku s’ke vajtur të duket si reportazh në një fshat ku ke vajtur, kurrsesi nuk duhet thënë se ku pikërisht ndodhet fshati ku ka bërë vaki vrasja, sa larg nga qyteti, ose të paktën sa larg nga deti.
Vendndodhja e fshatit duhet lënë e paqartë që lexuesit të mos i vejë mendja në e ke bërë këtë reportazh duke vajtur a duke mos vajtur, por të lodhet me imagjinatën e vet, t’i hedhi sytë mbi ndonjë hartë ose ta kërkojë fshatin në Internet, se nuk është mirë lexuesit të reporrtazhit t’i jepet gjithçka llokum në gojë.
Në një reportazh që bëhet pa vajtur në një fshat ku të gjithë e dinë çfarë ka ndodhur, e rëndësishme është ta paraqesësh sikur vendalinjtë nuk dinë gjë, ose ajo që ata dinë është e kundërta e asaj që ka ndodhur.
Vrasësi dhe i vrari nuk duhen cilësuar si “dy banorë”, apo “dy fshatarë”, apo “dy njerëz”, por “dy shtetas”, pra si dy hunj, dy numura, dy vegla, dy gogla.
Ky cilësim idiotesk duhet bërë i tillë për të qënë sa më i kuptueshëm për shumicën, pra për ata që shohin gjithë kohës filma me Sigurim, me portrete të kurvit mbi mur, të cilët protagonistët e një reportazhi nuk mund ti perceptojnë dot ndryshe veçse si në ato filma, pra pa emër, pa identitet, zhytur në klandestinitet të thellë, si turmë, si bagëti, pa pronë, pa vetdijë njerëzore, pa besim në Zot, pa asgjë, bosh. Polici gjithashtu nuk duhet cilësuar “polic”, por “efektiv” ose “uniformë blu”.
Sa i përket dinamikës së tragjedisë, duhet bërë kujdes që vrasësi të mos shpallet kurrë fajtor. Fajtor duhet të jetë gjithmonë vetëm i vrari. Përndryshe, gjatë leximit të reportazhit nuk ka ndërlikim, nuk ka misteriozitet, nuk ka mbajtje të frymës pezull, në fund të fundit nuk ka Art, kushte të domosdoshme këto për lexim të këndshëm të çdo teksti.
Nëse vrasja ka ndodhur për shkak të një borxhi të pakthyer, duhet bërë kujdes që shtetasi që nuk ktheu borxhin, do ta kishte hak të hante, jo vetëm plumbin ballit, por edhe thikën në zemër, shtizën në sy, sharrën te këmbët, kazmën në kurriz, sqeparin prapa kokës.
Nëse vrasja në brendinë e saj ka sadopak dramaticitet sentimental, për ta theksuar karakterin idilik të tragjedisë, pavarsisht se tragjedia nuk ka ndodhur në Verona apo në Venecia por në Pukë ose në Këlcyrë, i vrari dhe vrasësi duhen paraqitur si bij ose nipër që u përkasin fiseve aristokrate në sherr, pakashumë si Montegë dhe Kapuletë.
Mjeti i vrasjes, thikë, hanxhar, sqepar, lopatë, bel, shat, çifte gjahu, teke gjahu, shotgun, Kalashnikov, llokum dinamiti, pako tritoli, secili veç e veç ose të gjitha bashkë, mund të zgjidhen lirshëm sipas preferencave dhe përvojave të zagarit që shkruan reportazhin pa vajtur.
Rëndësi ka gjithashtu që në fshatin e reportazhit pa vajtur të takosh mësuesa në pension, nostalgjikë, gërrxho injorantë, veteranët spiunë që fshatit i kanë punuar qindin, grafomanë dhe llapaqena që shkruajnë historikun e fshatit për llogari të vetes.
Po të zuri syri ndonjë depo gjigande prodhimesh bujqësore ose blegtorale, a ndonjë serë andej nga Roskoveci, sakën se i afrohesh. Të piu e zeza po hyre brenda. Reportazhin pa vajtur nuk do ta lexojë askush. Nëpër katunde ka depo dhe sera me qindra. Por në reportazhin e bërë pa vajtur ato nuk duhet të ekzistojnë. Nëse nuk të rrihet pa u krruajtur pak me to, paraqiti si Don Kishoti mullinjtë e erës, përbindësha të rrezikshëm.
Gjatë reportazhit pa vajtur mos harro një paragraf ku të thuash se Shqipëria po vuan për bukën e gojës, po lëngon, rënkon, qan, uluret, mes tjerash edhe për reportazhe të bëra pa vajtur.
E pse të harxhosh kot naftë. Pse të lodhesh e të bezdisesh duke vajtur kot së koti nëpër katunde për të mësuar gjëra që dihen.
Sa kohë ka gazetarë me nam që s’kanë vajtur kurrë të shohin një katund me syt e vet dhe pronarë mediash injorantë që i paguajnë, reportazhin pa vajtur mund ta bësh pa lujt venit rehat-rehat në kafene.
Shkrim i vitit 2021, i risjellë enkas nw vëmendje për reportazhe apo kronika televizive të ngjashme dhe në vitin 2024