Vendosni fjalën kyçe....

Sektori bankar fshiu 1.4 miliardë lekë kredi të humbura në 6-mujorin e pare


Sektori bankar fshiu nga bilancet rreth 1.4 miliardë lekë kredi të humbura në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e kredive të fshira është rritur me afërsisht 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vlera e kredive të fshira në gjashtëmujorin fundit ishte sa 4% e tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave. Në terma relativë kundrejt portofolit të kredive me probleme, kjo vlerë ishte e njëjtë me gjashtëmujorin e mëparshëm.

Ndërkohë, gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, bankat kanë fshirë nga bilancet rreth 3 miliardë lekë kredi të humbura. Rreth 63% e këtij vëllimi janë kredi të marra nga bizneset.

Fshirja e kredive të humbura të sektorit bankar nisi të marrë përmasa të mëdha në vitin 2015, kur Banka e Shqipërisë vendosi detyrimin rregullator për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Fshirjet dhanë një ndikim shumë të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme të sektorit bankar, që në atë periudhë kishte arritur në kufijtë e 25%.

Nxjerrja e një kredie të humbur jashtë bilancit është një veprim kontabël, që nuk nënkupton heqjen dorë nga procesi ligjor i mbledhjes dhe rekuperimit të saj.

Fshirja bëhet me qëllim uljen e raportit të kredive me probleme të bankave, por, megjithatë, ajo nuk ka ndonjë ndikim në performancën e tyre financiare, sepse kreditë e klasifikuara si të humbura janë të provigjionuara në masën 100%.

Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë në vitin 2020 vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura në dy vjet, nga tre vjet që kishte qenë më parë.

Gjatë periudhës janar 2015 – qershor 2024, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 83 miliardë lekë.

Deri tani gjatë këtij viti, raporti i kredive me probleme paraqitet i qëndrueshëm. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e këtij viti ky tregues ishte 4.7%, në të njëjtin nivel me fundin e vitit 2023, por gjithsesi në rënie krahasuar me nivelin 5.3% të një viti më parë.

Megjithatë, fakti që raporti i kredive me probleme në 6-mujorin e parë është i qëndrueshëm, pavarësisht rritjes së shpejtë të portofolit të kredisë, është një tregues se sasia e kredive me probleme po rritet në vlerë absolute.

Në mesin e këtij viti, stoku i kredive me probleme arriti në rreth 37 miliardë lekë, me një rritje rreth 2 miliardë lekë ose 6% krahasuar me fundin e vitit të kaluar./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor