Kandidati republikan në SHBA Donald Trump, ka thënë se ai nuk do kandidojë më për president nëse mundet nga demokratja Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Gjatë një interviste në shfaqjen televizive “Full Measure” të dielën, Trump u pyet nëse ai do konsideronte nisjen e një fushate tjetër pas katër vjetësh nëse nuk do të ketë sukses këtë herë.
“Jo, nuk do e bëj. Unë mendoj se kështu do jetë.”, u përgjigj ish-presidenti, duke shtuar se ai mbetet optimist për të fituar zgjedhjet e këtij viti.
“Unë shpresoj se do kemi sukses,” tha ai.
Trump më herët përjashtoi pjesëmarrjen në një debat tjetër presidencial me Harris, pasi CNN njoftoi se demokrati kishte pranuar një ftesë për një përballje më 23 tetor. Harris zëvendësoi presidentin Biden si kandidat të Partisë Demokratike për shkak të shqetësimeve në rritje për zgjedhjen e Biden, duke pasur parasysh moshën dhe gjendjen e tij pas debatit katastrofik televiziv me Trump në qershor.
“Problemi me një debat tjetër është se është thjesht tepër vonë”, u tha Trump mbështetësve në një tubim në Ëilmington, Karolina e Veriut, duke shpjeguar se “votimi tashmë ka filluar”. Ai më parë e kritikoi debatin e ABC që kishte me Harris më 10 shtator si “të pandershëm” dhe “krejtësisht të manipuluar”, ndërsa shumë aleatë pretenduan se moderatorët ishin të njëanshëm në favor të demokrates.
Trump u zgjodh në vitin 2016 duke mposhtur Hillary Clinton. Ai humbi presidencën ndaj Biden në vitin 2020 dhe që atëherë ka këmbëngulur se zgjedhjet ishin manipuluar.
Ndërsa Kushtetuta e SHBA ndalon një person që të shërbejë si president për më shumë se dy mandate, Trump kishte hedhur idenë për të “negociuar” një mandat të tretë nëse ai rizgjidhet.