Presidenti ukrainas Zelensky ka kritikuar kandidatin për zv.president të Donald Trump, J.D. Vance, si “shumë radikal” në pikëpamjet e tij për t’i dhënë fund luftës së Kievit me Moskën.
Komentet e Zelenskyt u publikuan teksa ai mbërriti në SHBA, ku pritet të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe të takohet me Biden në Shtëpinë e Bardhë.
Duke folur për The Neë Yorker, udhëheqësi ukrainas sugjeroi se “se Trump nuk di me të vërtetë se si ta ndalë luftën edhe nëse ai mund të mendojë se e di se si”.
Kur u pyet për zgjedhjen e zëvendëspresidentit të Trump, Zelensky u përgjigj: “Ai është shumë radikal. Mesazhi i tij duket se është se Ukraina duhet të bëjë një sakrificë”, tha Zelensky.
“Kjo na kthen te çështja e kostos dhe kush e përballon atë. Ideja që bota duhet t’i japë fund kësaj lufte në kurriz të Ukrainës është e papranueshme”, tha ai.
“Kjo do ishte një ide e tmerrshme, nëse një person do e zbatonte në të vërtetë, për ta bërë Ukrainën të përballonte kostot e ndalimit të luftës duke hequr dorë nga territoret e saj”, tha Zelensky, duke argumentuar se një lëshim i tillë nuk do t’i jepte fund luftimeve.
Vance, një senator nga Ohio, kundërshton vazhdimin e financimit të Ukrainës nga SHBA dhe votoi kundër projektligjit të ndihmës prej 61 miliardë dollarësh që Kongresi miratoi këtë vit. Ai argumentoi se paratë e dërguara në Kiev vetëm po nxisnin “udhëheqjen dhe qeverinë më të korruptuar në Evropë”, pa arritur qëllimin për t’i dhënë fund konfliktit.