Vendosni fjalën kyçe....

Atentatori i dështuar ofroi 150 mijë dollarë shpërblim për të vrarë Trump-in


Njeriu që planifikoi të vriste kandidatin për president të SHBA-së, Donald Trump, la një letër duke i kërkuar dikujt tjetër që të kryente atentatin në rast se ai dështonte, kanë zbuluar prokurorët federalë.

Ryan Ëesley Routh, 58 vjeç, u arrestua më 15 shtator pasi u pa pranë një kursi golfi në pronësi të Trump në Florida. Policia gjeti një armë automatike të prodhimit sovjetik, një aparat fotografik GoPro dhe një çantë shpine me pllaka të blinduara në strehën e tij të improvizuar.

“Ky ishte një atentat ndaj Donald Trump, por unë dështova. Unë u përpoqa më së miri dhe përdora të gjithë guximin që mund të mblidhja. Tani ju takon të përfundoni punën; dhe unë do i ofroj 150,000 dollarë kujtdo që mund ta përfundojë punën,” thuhet në shënimin e shkruar me dorë që Routh dyshohet se ka lënë në një kuti në shtëpinë e dikujt.

Prokurorët federalë e përfshinë shënimin si provë se Routh duhet të mbetet në burg në pritje të gjyqit.

Sipas dosjes, Routh kishte lënë një kuti në shtëpinë e një individi të paidentifikuar në javët para përpjekjes së tij të supozuar për të vrarë Trump. Personi hapi kutinë pas arrestimit të Routh dhe njoftoi autoritetet javën e kaluar, tha Departamenti i Drejtësisë.

Përveç shënimit të shkruar me dorë, kutia përmbante “municion, një tub metalik, materiale të ndryshme ndërtimi, katër telefona” dhe disa letra të tjera.

Deklarata gjyqësore zbuloi gjithashtu se gjashtë telefona celularë u gjetën në makinën e Routh kur ai u arrestua, duke përfshirë një me një kërkim në Google se si të udhëtonte nga Palm Beach County në Meksikë. Sipas FBI-së, fuoristrada “Nissan” kishte targa false.

Dëshmi të tjera që supozohet se u gjetën në makinë përfshinin një listë të vendeve ku Trump ishte planifikuar të shfaqej me datat në gusht, shtator dhe tetor, si dhe një fletore gjoja “të mbushur me kritika ndaj qeverive ruse dhe kineze dhe shënime se si të bashkohej me luftën në Ukrainë”, sipas New York Post.

Routh, një kriminel i dënuar, kishte kaluar pjesën më të madhe të tre viteve të fundit në Ukrainë, duke pretenduar për një sërë mediash perëndimore se ai po mblidhte fonde dhe po rekrutonte për përpjekjet e luftës së Kievit. Pavarësisht se u shfaq në disa raporte mediatike për Ukrainën, asnjë nuk përmendi dosjen e tij kriminale. Arma e gjetur në strehën e tij në klubin e golfit Trump ishte një gjysmë automatike SKS, me 11 fishekë dhe një tjetër në gojë. Numri serial ishte “i fshirë dhe i palexueshëm”, sipas dosjes.

Trump i kishte shpëtuar vdekjes pothuajse saktësisht dy muaj më parë, më 13 korrik në Butler, Pensilvani. Një 20-vjeçar qëlloi të paktën tetë herë nga një çati teksa kandidati republikan zhvillonte një tubim, duke i prerë veshin Trump dhe duke vrarë një pjesëmarës në butim, ndërsa plagosi rëndë dy të tjerë.

Atentatori Thomas M. Crooks, u vra nga Shërbimi Sekret Amerikan dhe trupi i tij u dogj shpejt. Llogaritë e tij në mediat sociale janë fshirë dhe FBI nuk ka ofruar asnjë informacion në lidhje me motivin apo lidhjet e tij.