Vendosni fjalën kyçe....

Fabrika më e madhe e baterive elektrike në Evropë “Northvolt” shkurton 1600 vende pune


Një nga kompanitë më të mëdha në Evropë të prodhimit të baterive “Northvolt” planifikon të shkurtojë 1600 vende pune në bazën e saj në Suedi, ose rreth një të pestën e fuqisë punëtore globale, pasi shpresa më e madhe e Evropës në tregun e baterive të automjeteve elektrike lufton me problemet e prodhimit, kërkesën e ngadaltë dhe konkurrencën nga Kina.

Udhëheqësi në përpjekjet për të ndërtuar një industri evropiane të baterive të automobilave tha të hënën se do pezullonte planet për një zgjerim të madh të fabrikës së saj Northvolt Ett në Skelleftea, Suedia veriore.

Në një përpjekje për të ulur kostot, “Northvolt” zvogëloi biznesin e tij në fillim të këtij muaji, duke u larguar nga misioni fillestar për të qenë një dyqan gjithëpërfshirës që ofron gjithçka, nga prodhimi i baterive deri te riciklimi i tyre në fund të ciklit.

Me “Volkswagen” në mesin e pronarëve të tij, Northvolt ka udhëhequr një valë startupesh evropiane që investojnë miliarda dollarë në prodhimin e baterive për t’i shërbyer prodhuesve të automjeteve të kontinentit ndërsa ata kalojnë nga motorët me djegie të brendshme në makinat elektrike.

Por kompania suedeze është përballur me vonesat e porosive. Problemet me rritjen e prodhimit bënë që “BMW” të tërheqë një porosi prej 2 miliardë dollarësh në qershor.

“Northvolt” tha të hënën se do përqëndrohet në rritjen e 16 gigavat-orëve të para (GËh) të kapacitetit vjetor të prodhimit të qelizave të baterisë në “Northvolt Ett”, ndërkohë që do mbyllte një projekt ndërtimi që kishte synuar rritjen e kapacitetit të tij me 30 GWh të tjera.

Aktualisht, kompania prodhon më pak se 1 GWh dhe fillimisht ishte planifikuar që fabrika të prodhonte përfundimisht bateri për mbi një milion makina në vit, me kapacitet 60 GWh.

Rritja e kërkesës për makinat elektrike është gjithashtu më e ngadaltë se sa parashikohet nga disa në industri dhe konkurrenca është e fortë nga Kina, e cila përbën 85% të prodhimit global të baterive, tregojnë të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

“Ne jemi të vendosur të kapërcejmë sfidat me të cilat përballemi dhe të dalim më të fortë”, tha në një deklaratë bashkëthemeluesi dhe shefi i “Northvolt”, Peter Carlsson.

“Tani duhet të përqendrojmë të gjithë energjinë dhe investimet në biznesin tonë kryesor.”

Qendra e R&D e kompanisë, laboratorët “Northvolt”, do ngadalësojë të gjitha programet dhe zgjerimin, duke ruajtur platformat themelore, tha ai.

Nuk përmendi fatin e gjigafabrikave të planifikuara në Gjermani dhe Kanada, të cilat rrezikohen të shtyhen.