Vendosni fjalën kyçe....

Qëlloi drejt makinës që u largua, në kërkim efektivi i “Shqiponjave”


Hollësi të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e ndodhur më 8 mars të këtij viti ku tre efektivë të “Shqiponjave” kanë ndaluar për kontroll një makinë në rrugën Tiranë-Fushë Krujë, pranë Rinasit.

Në makinën e ndaluar ndodheshin Taulant M. dhe Miklevan T. me drejtuesin e mjetit që u ka dhënë policisë dokumentin e identifikimit dhe më pas është larguar me shpejtësi me pretendimin që ka pasur fëmijën të shtruar në spital.

Pas kësaj njëri nga efektivët, R.B. ka nxjerrë armën e shërbimit duke qëlluar me dy plumba në drejtim të mjetit. Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga tre policët e repartit “Shqiponja”, efektivi i shpallur në kërkim dhe dy kolegët e tij E.D. dhe F. Z.

Qytetari ka bërë kallëzimin për rastin pranë Prokurorisë së Tiranës, e cila nisi hetimet pas verifikimit të ngjarjes. Dy efektivët E.D. dhe F.Z. janë lënë me masën detyrim paraqitjeje, ndërsa kanë pohuar se kanë vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi sipas tyre qytetari ka tentuar t’i përplasë me makinë.

Efektivët kanë pohuar se kishin dyshime se në mjetin e ndaluar për kontroll kishte armë zjarri dhe se drejtuesi është larguar kur i është kërkuar kontrolli i makinës.

Ndërsa efektivi që ka qëlluar me armë është shpallur në kërkim. Ai akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentivë, falsifikim dokumentesh dhe kallëzim të rremë.

“Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur nga hetimet e kryera pas kallëzimit penal të depozituar nga një shtetas, nga ku rezultoi se në datë 8 mars 2024, gjatë kryerjes së shërbimit në segmentin rrugor Tiranë-Fushë Krujë, këta punonjës policie kanë ndaluar një automjet dhe gjatë veprimeve policore, në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet”, sqaroi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në njoftimin për mediat.