Seanca për ankimimin e kreut të PD-së, Sali Berisha, në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet më 19 nëntor 2024 në orën 10:00.
Berisha ka apeluar masën e sigurisë “detyrim me paraqitje”, e cila u vendos në tetor 2023. Ai ndodhet nën arrest shtëpiak që nga 30 dhjetori 2023, për çështjen e njohur si dosja “Partizani”.
Më 11 shtator, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka njoftuar akuzat për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion në atë që njihet si afera e terreneve sportive të klubit Partizani.
Berisha po hetohet për veprën penale të korrupsionit pasiv, së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. SPAK akuzon Malltezin se ka përfituar në mënyrë të paligjshme të ardhura prej 5.4 milion eurosh nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.