Kancelari gjerman Olaf Scholz ka dalë kundër gllabërimit nga UniCredit të Commerzbank pasi huadhënësi italian tha se po rriste aksionet e tij nga rreth 9 për qind në 21 për qind.
UniCredit të hënën zbuloi se kishte marrë një 11.5 për qind të aksioneve të Commerzbank, dy javë pasi zbuloi një 9 për qindësh të aksioneve në bankë, gjysma e të cilit ishte blerë nga qeveria gjermane.
Scholz i tha Reuters gjatë një vizite në Nju Jork të hënën se “sulmet jomiqësore dhe marrja përmes kontrolleve armiqësore nuk janë një gjë e mirë për bankat dhe kjo është arsyeja pse qeveria gjermane është pozicionuar qartë”.
Shefi ekzekutiv i UniCredit, Andrea Orcel ka thënë më parë se nuk do e ndiqte një marrje të Commerzbank pa mbështetjen e qeverisë.
Megjithëse UniCredit e ka parë prej kohësh Commerzbank si një blerje të mundshme, shfaqja e bankës italiane si një aksioner kryesor e kapi institucionin gjerman gafil dhe ndezi opozitën politike kundër një lidhjeje ndërkufitare.
Pas zbulimit të UniCredit të hënën, një zyrtar qeveritar i tha FT se Berlini “mbështet strategjinë e Commerzbank e cila është e orientuar drejt pavarësisë”, duke theksuar “ne nuk mbështesim një blerje dhe e kemi informuar UniCredit për këtë”.
Rritja e fundit e aksioneve të Unicredit dhe përgjigja e shkurtër e Berlinit shënojnë një përshkallëzim të mprehtë në një mosmarrëveshje të ashpër midis dy aksionerëve më të mëdhenj të Commerzbank.
Orcel bëri lëvizjen e tij të fundit pasi Berlini të premten tha se nuk do i shesë më 12 për qind të aksioneve të mbetura në Commerzbank siç ishte planifikuar, një përgjigje ndaj kundërshtimit në rritje të vendit ndaj operacionit.
Edhe pse UniCredit ka nevojë për miratim nga Banka Qendrore Evropiane për të rritur zotërimin e saj mbi 10 për qind, ajo ka blerë 11.5 për qind të aksioneve në një mënyrë të tillë që marrëveshja nuk do zgjidhet derisa “të jenë marrë miratimet e kërkuara”.
Megjithatë, nëse siguron miratim, UniCredit do e kapërcejë Berlinin si aksioneri më i madh i Commerzbank, duke rritur presionin ndaj qeverisë gjermane.
UniCredit i kërkoi në mënyrë të përsëritur qeverisë gjermane një takim pasi mori 9 për qind të aksioneve, por Berlini nuk pranoi, thanë njerëz të njohur me bisedimet. UniCredit nuk pranoi të komentonte ndërsa qeveria gjermane nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha të hënën se veprimet e UniCredit ishin “mëse të ligjshme “. Roma ka sinjalizuar se është në favor të një marrjeje për aq kohë sa selia e UniCredit mbetet në Itali.
Aksionet e Commerzbank, të cilat kishin humbur më shumë se 5 për qind në fillimin e tregtimit të së hënës, u rimëkëmbën ndjeshëm pas njoftimit të UniCredit.
Aksionet janë rritur rreth 24 për qind që kur UniCredit rriti aksionet e saj fillestare në fillim të këtij muaji. Aksionet e UniCredit humbën 2.5 për qind të hënën, por vijojnë të tregtohen më lart se përpara se aksionet e saj të bëheshin publike pothuajse dy javë më parë.
Një person i njohur me mendimet e drejtuesve të lartë të Commerzbank tha se nuk ishte menjëherë e qartë se si lëvizja e fundit e UniCredit përputhet me deklaratat e mëparshme të Orcel se ai as nuk do ndiqte një marrje armiqësore dhe as nuk do e merrte Commerzbank kundër vullnetit të qeverisë gjermane.
Commerzbank i tha Financial Times se kishte “marrë parasysh” lëvizjen e UniCredit dhe tha se bordet e saj ishin “gjithmonë të hapur për të vlerësuar me përgjegjësi mundësitë strategjike”. Megjithatë, ai shtoi se interesat e të gjitha palëve të interesuara – investitorëve, punonjësve dhe klientëve – duheshin marrë parasysh.
Banka italiane ka paraqitur një kërkesë për të rritur interesin e saj në 29.9 për qind – një proces që mund të zgjasë me muaj. UniCredit do duhej të kthehej te Banka Qendrore Evropiane nëse dëshiron të rrisë aksionet e saj mbi 50 për qind.
Një bashkim midis dy grupeve do ishte marrëveshja e parë e rëndësishme bankare ndërkufitare në Evropë që nga kriza financiare dhe një katalizator i mundshëm për konsolidimin e mëtejshëm në të gjithë sektorin e copëzuar të kontinentit.
Orcel ka vendosur synimin për të blerë rivalë evropianë, me potencialin për ta kthyer huadhënësin italian në një mjet për konsolidimin e sektorit.
Por lëvizja e tij në Commerzbank ka shkaktuar bujë në Gjermani, me politikanët dhe sindikatat që kundërshtojnë një blerje të plotë.
Ekzekutivët në Commerzbank kanë paralajmëruar qeverinë gjermane se një lidhje me UniCredit mund të pengojë kreditimin për kompanitë e vogla dhe të mesme Mittelstand, ndërsa sindikatat kanë ngritur shqetësimin dhe mundësinë e shkurtimeve të vendeve të punës.
Friedrich Merz, kreu i CDU-së, ka qenë gjithashtu shumë kritik ndaj lëvizjes së fundit të UniCredit, duke thënë se marrja e Commerzbank nga italianët do ishte një “katastrofë për sektorin bankar gjerman”.
UniCredit dhe qeveria gjermane kanë qenë në mosmarrëveshje me njëra-tjetrën se çfarë informacioni u nda me Berlinin përpara rritjes së aksioneve.
Orcel ka deklaruar publikisht se UniCredit informoi qeverinë gjermane për pozicionin e saj ekzistues në aksionet e Commerzbank përpara se të blinte bllokun e aksioneve që e çoi pozicionin e saj total në 9 për qind dhe e vuri bankën në lëvizje.
Zyrtarët në Berlin i thanë FT se nuk ishin informuar deri në minutën e fundit. Njerëzit pranë bisedimeve thanë se kishte mosmarrëveshje dhe një ndërprerje të komunikimit brenda qeverisë gjermane.
Kundërshtimi i Berlinit për t’u përfshirë në negociatat për shitjen e aksioneve të tij të mbetura, shkaktoi një ndryshim në strategjinë e UniCredit, thanë dy persona të njohur me këtë çështje.
Banka italiane tha në një deklaratë të hënën, duke njoftuar rritjen e aksioneve të saj, se “ekziston një vlerë thelbësore që mund të zhbllokohet brenda Commerzbank, qoftë e pavarur ose brenda UniCredit, për të mirën e Gjermanisë dhe të palëve me interesa më të gjera në bankë”.
Ajo tha se pjesa më e madhe e pozicionit të saj ishte mbrojtur për të “siguruar fleksibilitet të plotë dhe mudësitë për të mbajtur aksionet e saj, për të shitur pjesën e saj me një rënie të ulët ose për të rritur më tej aksionet e saj”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani