Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, përveç takimeve zyrtare, , vizitoi Muzeun e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir dhe Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, në Shkup.
Në Muzeun e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, Spiropali u prit nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi dhe personalitete të tjera shtetërore.
“Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe është njëra prej ngjarjeve më madhore për historinë, kulturën, dhe identitetin tone. 51 foto dhe 58 dokumente flasin e na tregojnë rrugën e gjatë e të mundimshme drejt Alfabetit, drejt shkrimit të Shqipes, gjuhës sonë të bukur e të shenjtë, me alfabetin latin. Me vendim të qeverisë shqiptare, 22 nëntori, Dita e Kongresit të Manastirit, kremtohet në Shqipëri si Dita e Alfabetit Shqip.”, u shpreh gjatë vizitës Spiropali.
Gjatë vizitës në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup, Spiropali u prit nga Zëvendëskryeministri Arben Fetai, Zëvendësministri i Arsimit Lulëzim Aliu dhe Drejtori i Institutit të Albanologjisë Skënder Asani.
“Nuk mund të vija në Shkup dhe të mos ndaloja për të vendosur një buqetë me lule në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, shenjtores sonë, bijës më të shquar të kombit shqiptar që i përket të gjithë botës.”, u shpreh Spiropali.