Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e zhvilluar në Durrës në atë që njihet si “Dita e Vizitorëve të Shquar” në stërvitjen e përbashkët ushtarake mes trupave shqiptare dhe britanike “Austere Wolf – 24”, pjesë e stërvitjes më të madhe “Corridor VIII Response”, u shpreh se “Shqipëria është një nyjë logjistike për operacionet e Aleancës”.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Arben Kingji, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ambasadorë dhe atashe ushtarakë.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes theksoi se kjo stërvitje “është edhe një përgjigje ndaj realitetit të sigurisë në rajonin tonë”.
“Këto ndërveprime krijojnë një shembull të qartë të angazhimit dhe fokusit të vendeve tona në përmirësimin e kapaciteteve tona, gatishmërisë operacionale dhe infrastrukturës si një parakusht për këtë gatishmëri. Vendndodhja gjeografike mes dy vendeve tona ndoshta nuk është e afërt në koordinata, por ajo bëhet e papërfillshme kur bëhet fjalë për interesat e përbashkëta strategjike të NATO, prandaj edhe “Corridor VIII Response” tregon jo vetëm rritjen e aftësive tona ushtarake, por edhe rolin e Shqipërisë si një nyje logjistike për operacionet aleate”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.
Sipas tij, në Samitin e NATO në Uashington, vendi ynë, bashkë me Bullgarinë, Italinë dhe Maqedoninë e Veriut ndërmorën një hap të rëndësishëm me qëllim lehtësimin e lëvizshmërisë ushtarake të trupave të NATO përgjatë Korridorit VIII.
“Shqipëria konfirmon kështu përkushtimin e plotë për të çuar përpara planet e zhvillimit infrastrukturor dhe në mënyrë të paevitueshme këtu del në skenë infrastruktura portuale në Durrës dhe në Kompleksin Durrës – Porto Romanos, pjesë jetike për të hyrë në Korridorin VIII, pjesë jetike për një logjistikë për një lëvizshmëri operacionale të rrjedhshme në të gjithë rajonin.
Rëndësia e dytë e kësaj nyje logjistike ka të bëjë me ‘zinxhirët e furnizimit të rajonit’, u shpreh më tej, ministri Vengu.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, një mbrojtje moderne kërkon një infrastrukturë të fortë dhe të mirëmbajtur e ne po punojmë fuqimisht në këtë aspekt.
“Misioni ynë është që të forcojmë sigurinë në një kohë kur Evropa Juglindore është vazhdimisht nën kërcënimin e influencave malinje që kërkojnë të destabilizojnë rajonin. Për të arritur këtë duhet të rrisim edhe më shumë nivelin e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit me aleatët tanë”, tha ai.
Nga ana e tij, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach vlerësoi bashkëpunimin me Forcat e Armatosura shqiptare në stërvitjen “Austere Wolf – 24”, ndërsa e cilësoi këtë aktivitet faktor në forcimin e masave për rritjen e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Lordi Stuart Peach tha se me luftën që po ndodh në Ukrainë, është e rëndësishme të kujtojmë rëndësinë e sigurisë në Evropë.
Peach foli për rëndësinë strategjike të Korridorit VIII, që lidh rrugët, portet, infrastrukturën dhe siç u shpreh ai, është shumë i rëndësishëm pasi bën të mundur që Aleanca të lëvizë me shpejtësi.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Arben Kingji, teksa falënderoi forcat britanike për angazhimin në këtë stërvitje të përbashkët tha se “kjo stërvitje e përbashkët merr një rëndësi akoma më të madhe, pasi do të testojë edhe kapacitetet dislokuese të forcës strategjike rezervë të NATO – Strategic Reserve Force”.
Stërvitja e përbashkët “Austere Wolf – 24”, pjesë e stërvitjes më të madhe “Corridor VIII Response” do të zgjasë deri më 7 tetor dhe do të zhvendoset edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.