Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky: Lufta me Rusinë më afër fundit se sa mendojmë


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se lufta me Rusinë mund të përfundojë më shpejt se sa parashikojnë disa.

 “Mendoj se jemi më afër paqes se sa mendojmë. Thjesht duhet të jemi shumë të fortë, shumë të fortë,” tha ai gjatë një interviste për ABC News, përcjell BBC.

Gjatë vizitës së tij në SHBA këtë javë, Zelensky do t’i prezantojë Presidentit Joe Biden një plan “për paqe”, i cili do të kërkojë që aleatët e Ukrainës të “forcojnë” ushtrinë ukrainase.

Zelensky sqaroi se ky plan nuk ka të bëjë me negociata me Rusinë, por më tepër është “një urë drejt një zgjidhjeje diplomatike, për të ndalur luftën”  .

Duke theksuar se Ukraina mund ta detyrojë presidentin rus Vladimir Putin të ndalojë konfliktin vetëm nëse vjen nga një “pozitë e fortë”, Zelensky pritet gjithashtu t’i kërkojë SHBA-së të lejojë përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, të cilat mund të godasin thellë në territorin rus .

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia po tregohet e kujdesshme ndaj raporteve mediatike për një plan ukrainas, duke shtuar se konflikti do të përfundojë vetëm kur Rusia të arrijë qëllimet e saj .

Zelensky do të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të mërkurën dhe gjithashtu pritet të takohet me kandidatë presidencialë amerikanë si Donald Trump dhe Kamala Harris .

Ndërkohë, sulmet ndaj Ukrainës nga Rusia vazhdojnë.

Të martën, një sulm në qytetin Kharkiv goditi një bllok apartamentesh, duke lënë të paktën tre të vdekur dhe 15 të plagosur, ndërsa sulmet në Poltava dhe Zaporizhzhia shkaktuan dëme të konsiderueshme dhe viktima  .