Ekonomia shqiptare vuan nga nivele të larta të informalitetit e për rrjedhojë edhe nga qarkullim i lartë i parasë cash në ekonomi.
Përllogaritjet e qeverisë të referuara në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave për 2024-2027 tregon se në vitin 2022 rreth 90% e transaksioneve të konsumit u kryen me para në dorë.
Ministria e Financave referon se pavarësisht masave që ka marrë Banka e Shqipërisë për reduktimin e parasë cash si dhe uljes së kostos së mbajtjes së llogarisë bankare për individë dhe biznese të vogla, duhen ende masa të tjera për të ulur përdorimin e pagesave cash në vend.
Në planin afatmesëm që zgjat deri më 2027 qeveria ka në plan të vendosë një limit për pagesat cash në transaksionet e individëve.
Një masë tjetër është reduktimi i mëtejshëm për pagesat me para në dorë mes bizneseve nga limiti 150.000 lekë që është aktualisht.
Një strukturë tatimore do të zbatojë rregullat e riskut, të cilat evidentojnë tatimpaguesit të cilët fragmentojnë faturat për të mos kaluar limitin që përcakton ligji.
Synohet gjithashtu krijimi i një grupi pune mes Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave për të ulur komisionet e përdorimit të terminaleve POS mes bankave të nivelit të dytë dhe tatimpaguesve.
Ministria e Financave analizon se disa nga arsyet që kanë çuar në përdorimin e lartë të cash janë norma e ulët interesi për depozitat, mungesa e i terminaleve POS në të gjitha pikat e shitjes me pakicë.
Një tjetër burim i parave cash, konsiderohen shpenzimet me te larta se ta ardhurat. Nëse një individ ka fiton 80 mijë lek në muaj dhe shpenzon 200 mijë lek në muaj, tregon për të ardhura jo të ligjshme. Gjithashtu paraja cash nxitet nga niveli i lartë ekonomisë informale, besimi i ulët në sistemin bankar dhe preferenca për para në dorë dhe niveli i ulët i edukimit financiar dhe rezistenca ndaj ndryshimit.
Në vitet e ardhshme deri më 2027 synohet ulje e përdorimit të pagesave me para në dorë nëpërmjet rritjes së pagesave nëpërmjet e-banking dhe rritja e transaksioneve nëpërmjet faturave e-invoice pa para në dorë. Gjithashtu synohet rritja e numrit të tatimpaguesve që përdorin POS në ambientet e aktivitetit të tyre.
Vende të ndryshme të botës i kanë zbatuar me sukses këto eksperienca. Greqia nga 1 janar 2020, aplikon penalitete tek individët nëse një të tretat të ardhurave nuk i kanalizojnë nga terminalet POS.
Aktualisht, Shqipëria ka një nivel shumë të ulët të përdorimit të POS. Në vitin 2022, janë rreth 18,570 POS të instaluar nga tatimpaguesit, ndërsa në vitin 2023 ishin 19, 184 të tilla, shifër kjo e papërfillshme duke marrë në konsideratë që në vend ushtrojnë aktivitet ekonomik mbi 125 mijë biznese.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor