Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se vrau vëllezërit Gramoz e Xhentil Bardhi, prokuroria kërkon dënim me burg të përjetshëm për Roland Pulën


Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me burg përjetë për Roland Pulën, i dyshuar si autor i vrasjes së dy vëllezërve Gramoz dhe Xhentil Bardhi.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 2020, kur dy vëllezërit u qëlluan me kallashnikov në fshatin Gramëz të Krujës dhe ndërruan jetë gjatë transportit për në spital.

Pula ka një precedent të mëparshëm penal, me akte të tilla si vjedhje dhe kultivim të lëndëve narkotike. Prokurori Enklid Gjini ka dokumentuar përfshirjen e Pulës në këtë masakër dhe ka kërkuar dënimin maksimal në gjykatën penale të Tiranës.

Prokuroria vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Ngjarja e 4 viteve më parë ndodhi pas sherrit që nisi në lokalin e fshatit, autori u zuri pritë pranë shtëpisë në errësirë duke i qëlluar me breshëri dy vëllezërit. Në atë kohë u raportua se konflikti ishte vetëm vijim i përplasjeve që e kanë zanafillën në 19 gusht 2005 kur vëllai i Gramoz dhe Xhontil Bardhit, Eltoni plagosi me thikë Besnik Pulën.

Roland Pula ishte arrestuar në 2008, ndërsa në 29 tetor 2010 u dënua me 6 muaj burgim për akuzën e “kanosjes” me armë, 4 muaj burgim për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe 2 vjet burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.