Vendosni fjalën kyçe....

Operacion ndërkombëtar kundër drogës, arrestohen në Shqipëri dy pjesëtarë të grupit kriminal


SPAK ka ofruar detaje mbi operacionin e përbashkët me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zvicerane dhe polake, si dhe me Byroën Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ky operacion ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që ushtroi aktivitet të paligjshëm në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër.

Sipas hetimeve, të dyshuarit pastronin fitimet e paligjshme përmes një rrjeti të gjerë kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e cila ofronte fatura false për rreth 375 milion euro. Gjatë operacionit, janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, duke arritur një total prej 60 milion euro cash.

Në Shqipëri, janë kryer 21 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera, duke çuar në arrestimin në flagrancë të dy anëtarëve të grupit kriminal, shtetasit me iniciale J.K. dhe A.M. Po ashtu, janë sekuestruar 30 mijë euro, 6 mijë paund, dy automjete, një armë, katër orë të markës Rolex, 26 aparate celulare dhe dokumente, si dhe prova të tjera materiale.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot më datë 25.09.2024, në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zviceriane, polake, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer një operacion të përbashkët në kuadër të hetimeve për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Mashtrimi në investime në shuma të mëdha”.

Nga hetimi ka rezultuar ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal, i cili ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë.

Ky grup kriminal e ushtronte aktivitetin kriminal në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër.

Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë Euro.

Nga hetimi janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë,  të përllogaritura në vlerën prej 60 milion Euro cash.

Sot, më datë 25.09.2024, në Republikën e Shqipërisë, janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambjente të tjera. Janë arrestuar në flagrancë dy pjesëtarë të grupit kriminal, shtetasit me iniciale J.K. dhe A.M. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë Euro, 6 mijë Paud, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale.