Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria mbyll veprimtarinë e kolegjit universitar ‘Wisdom’


Qeveria ka vendosur të mbyllë veprimtarinë e kolegjit universitar “Wisdom” në Tiranë, pas skandalit lidhur me shitjen e diplomave dhe çertifikatave false për të rinjtë italianë, me çmime që varionin nga 7,000 deri në 10,000 euro për diplomë.

Ky vendim u miratua sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Institucionet e arsimit të lartë do të pranojnë aplikimet për transferimin e studentëve të kolegjit “Wisdom” deri më 20 nëntor 2024, për vitin akademik 2024-2025, në programe studimi të njëjta ose të ngjashme, për sa kohë plotësojnë kriteret ligjore.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “l”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Mbylljen e veprimtarisë së kolegjit universitar “Wisdom”, i cili e ka ushtruar veprimtarinë në qytetin e Tiranës.

2. Kolegji universitar “Wisdom” ka këto detyrime:

a) Të mbyllë të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë akademike dhe kërkimore-shkencore, për vitin akademik 2023-2024, deri në përfundimin e tij, në të gjitha programet e studimit të ofruara;

b) Të përgatisë dosjen për çdo student që nuk ka përfunduar programin përkatës të studimit, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë, që plotëson kriteret ligjore për transferimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

c) Të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentit;

ç) Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e tij akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, në përputhje me kuadrin ligjor për arkivat, brenda 2 (dy) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
d) Të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave, të parashikuara në këtë vendim.
dh) Të vendosë në dispozicion personel akademik dhe administrativ të nevojshëm deri në përfundimin e procesit për mbylljen e tij, sipas afateve të përcaktuara në këtë vendim.

3. Vula e kolegjit universitar “Wisdom” asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.

4. Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e kolegjit universitar “Wisdom”, në zbatim të këtij vendimi, përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë/personit juridik që e përfaqëson.

5. Institucionet e arsimit të lartë pranojnë deri në datën 20.11.2024 aplikimet për transferimin e studentëve të kolegjit universitar “Wisdom”, për vitin akademik 2024-2025, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, kur plotësojnë kriteret ligjore.

6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kolegji universitar “Wisdom”/personi juridik “Wisdom”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.