Avokati Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua barbarisht më 29 maj të këtij viti, ka depozituar një deklaratë noteriale në Gjykatën e Tiranës, duke njoftuar se ka rregulluar marrëdhëniet me Dritan Nanon, personin e dyshuar për porositjen e aktit të dhunës.
Sipas gazetarit Igli Celmeta, Mëngjesi paraqiti këtë deklaratë gjatë seancës së zhvilluar të mërkurën, kur Nano kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë. Megjithatë, trupa gjykuese e la në fuqi masën e sigurisë ndaj Nanos.
Mëngjesi u dhunua nga tre persona pas dërgimit të fëmijës së tij në kopësht, në zonën e ish-Bllokut. Të përfshirë në këtë ngjarje ishin Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, i cili ndihmoi një nga autorët të largohej nga vendngjarja.
Fatmirësisht, Sokol Mëngjesi është rikuperuar dhe ka rifilluar aktivitetin e tij profesional. Ai pritet të marrë pjesë së shpejti në seancat gjyqësore për të mbrojtur klientët e tij.