Vendosni fjalën kyçe....

U kapet automatiku në makinë, pranga dy të rinjve në Elbasan


Dy të rinj janë arrestuar në Elbasan pasi u është kapur një automatik në makinën me të cilën udhëtonin.

Në pranga kanë rënë 32-vjeçari Aurel Kaçaniku i cili ndodhej në timon dhe 30-vjeçari Renaldo Sadushi, i cili ishte udhëtar.

Kaçaniku ka qenë i dënuar me parë në Gjermani ndërsa Sadushi ka precedent për plagosje e kundërshtim të policisë.

Gjatë kontrollit atyre u është gjetur nën sediljen e udhëtarit, 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak.

“Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara gjatë hetimit proaktiv, kanë ndaluar për kontrolle, në rrugën “Iliaz Kosova”, automjetin me drejtues shtetasin A. K., 32 vjeç (i dënuar më parë në Gjermani), dhe me pasagjer shtetasin R. S., 30 vjeç (me precedent për plagosje dhe për kundërshtim të punonjësve të Policisë). Gjatë kontrolleve është gjetur nën sediljen e pasagjerit, 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, që posedohej pa leje nga të arrestuarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.” – thuhet në njoftimin e policisë.