Ka rënë në pranga 32-vjeçari Edison Elezaj, djali i pronarit të ujit “Lajthiza”, i cili ishte shpallur në kërkim prej dy muajsh pasi akuzohen për plagosjen e tre personave në një restorant në kompleksin “Delijorgji”.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 28 korrik në restorantin luksoz “Savoy Garden” ku Elezaj akuzohet se ka plagosur me armë zjarri një vajzë 36-vjeçare binjake me dy vëllezërit e saj.
“Si rezultat i operacionit ‘Oda’, në një hotel në Kukës, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi E. E., 32 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr.1897 datë 26.07.2024, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal. Më datë 23.07.2024, në Rrugën e Kavajës, 32-vjeçari dyshohet se aksidentalisht ka bërë shkrepje të pavullnetshme me një armë zjarri, dhe si pasojë janë plagosur 3 shtetas.” – njofton policia.
Më herët policia ka arrestuar dy persona të tjerë lidhur me ngjarjen pasi i morën armën djalit të biznesmenit dhe e fshehën duke penguar të vërtetën.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në restorant, policia arriti të gjejë armën dhe të identifikojë personat që e morën atë pas të shtënave, Arjan Dushaj, 38 vjeç, dhe Dardan Zalli, 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.