Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianjin, i cili akuzohej për kallëzim të rremë në çështjen “Babalja”.
Seanca e sotme ishte për dhënie vendimi, por meqë avokatët e Geron Xhafës kishin paraqitur vendimin e pushimit të GJKKO-së që u bë objekt debate seancën e kaluar, Apeli riçeli shqyrtimin që e kishte mbyllur seancën e kaluar për të marrë provën, gjë që u konsiderua e paligjshme nga avokati i Salianjit.
“Është e padegjuar më parë që pasi mbyllet shqyrtimi të depozitohen prova të reja në gjykatë. Vendim në kundërshtim me ligjin” tha Ledio Braho.
“Nëse do kishte nje hetim në vazhdim për trafik ndërkombëtar droge, nuk do kishte kallëzim te rremë. Prokurorit në seancën e kaluar, ja dhanë gati letrën ne dorë” tha Salianji.
Dosja Babale
Çështja “Babale” doli më 14 Maj të vitit 2018 nga selia e PD-së në Tiranë, në një konferencë për shtyp ku dolën Ervin Salianji, Enkelejd Alibej dhe Gazment Bardhi, duke denoncuar atë që e quajtën “audio-përgjim ku implikohej në trafik droge Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj”.
Përgjimet me stilolaps pretendoheshin se ishin bërë nga Albert Veliu (Babalja), kunati i tij Alfred Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi, në prill të atij viti, në një lokal në Vlorë.
Prokuroria Tiranë dhe Gjykata e shkallës së parë konkluduan se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit, duke i dënuar.