Vendosni fjalën kyçe....

Dënimi i Salianjit, Bardhi ndaj Ramës: Bëre ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti


Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi të ligjshëm dënimin me një vit burg të deputetit demokrat Ervin Salianji. Bardhi e akuzoi Ramën për lidhje me krimin e organizuar, duke i kujtuar se si ministër të Brendshëm emëroi vëllain e një trafikanti, ish-ministrin Fatmir Xhafaj.

Në reagimin e tij, Bardhi e përshkroi Ramën si të paftyrë dhe frikacak, duke theksuar se keqpërdorimi i gjykatave për të frikësuar opozitën nuk do të sjellë asnjë dobi. “Ti je Kryeministri i vetëm në botë që ka vëllain e dyshuar si trafikant droge,” deklaroi ai, duke shtuar se Rama mban në pushtet krimin e organizuar.

Bardhi përfundoi duke theksuar se Rama do të mbetet unik në historinë botërore për veprimet e tij.

REAGIMI I BARDHIt

I paftyrë dhe frikacak! Të gënjen mendja se do trimërohesh duke keqpërdorur gjykatat për të “frikësuar” e dënuar pa ligj e prova opozitën.

Ti je Kryeministri i vetëm në botë që bërë Ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti të dënuar droge nga një vend i BE!

Ti je i vetmi Kryministër në botë që akuzohesh nga zëvendësi yt se ka një koordinator të posaçëm për marrëdhëniet me krimin e organizuar, i cili nesër pritet të emëroj Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ti je i vetmi Kryeministër në botë që ke vëllain të dyshuar si trafikant droge. Ti je i vetmi Kryeministër në botë që të trimëron dhe të mban në pushtet krimi i organizuar.

Ti je i vetmi Kryeministër në botë që bëre deputet e kryebashkiak trafikant droge, vrasës e përdhunues. Do mbetesh unik në historinë botërore për fundin e tmerrshëm dhe të afër që të pret!