Prokurorët federalë kanë paditur kryebashkiakun e Nju Jorkut Eric Adams, duke e bërë atë kryebashkiakun e parë në historinë e qytetit që akuzohet gjatë kohës në detyrë.
Lëvizja dramatike vjen pas një hetimi të gjatë që ka ndjekur demokratin e moderuar për gati një vit. Zbulimi, së bashku me disa hetime të tjera të prokurorisë kanë çuar në një valë dorëheqjesh të nivelit të lartë, rrezikojnë perspektivat e rizgjedhjes së Adams në vitin 2025.
Menjëherë pasi u publikua lajmi për aktakuzën, pothuajse të gjithë konkurrentët e Adams i kërkuan atij të jepte dorëheqjen.
Hetimi po drejtohet nga Prokurori i SHBA-së për Qarkun Jugor të Nju Jorkut, Damian Williams. Një zëdhënës i zyrës së tij nuk pranoi të komentojë.
Akuzat specifike në aktakuzën e vulosur ende nuk diheshin. Williams pritet t’i bëjë publike akuzat të enjten.
Adams u mblodh me ndihmës të afërt, duke përfshirë ish-shefin e stafit Frank Carone, në rezidencën zyrtare të kryebashkiakut “Gracie Mansion” të mërkurën në mbrëmje, duke kuptuar se si t’i përgjigjej lajmit tronditës, i cili u përfol për shumicën e ditës, thanë njerëz të njohur me këtë çështje.
Teksa doli nga rezidenca të mërkurën vonë mbrëma, Carone tha se Adams nuk ishte informuar nga autoritetet federale për aktakuzën në pritje deri në kohën kur u publikuan lajmet. I pyetur mbi gjendjen e Adams, Carone u përgjigj se ai ishte më i fortë se kurrë. Carone tha se Adams nuk duhet të dorëhiqet në asnjë mënyrë.
“Ditë e trishtë për kryebashkiakun dhe qytetin. Ai e meriton të mbrojë të vërtetën e tij në gjykatë dhe do e bëjë”, shtoi ai.
Pasi New York Times raportoi për herë të parë padinë, kryebashkiaku parandaloi njoftimin e pritshëm të Williams me një deklaratë të lëshuar të mërkurën mbrëma, në të cilën ai shpalli pafajësinë e tij dhe u zotua të luftojë akuzat.
“Gjithmonë e kam ditur se nëse nuk do lëkundesha për të mbrojtur për njujorkezët, do isha një objektiv dhe do bëhesha një objektiv”, tha ai.
“Nëse akuzohem, jam i pafajshëm dhe do ta luftoj këtë me çdo grimcë të forcës dhe shpirtit tim.”
Në një video të mëvonshme të publikuar nga zyra e tij, Adams kërkoi për herë të dytë të paraprijë hollësitë që do publikoheshin nga prokurorët.
“Tani besoj se qeveria federale ka në plan të më akuzojë për krime. Nëse po, këto akuza do jenë krejtësisht të rreme, të bazuara në gënjeshtra,” tha Adams.
“Për muaj të tërë, rrjedhjet dhe thashethemet janë drejtuar ndaj meje në një përpjekje për të minuar besueshmërinë time dhe për të më paraqitur si fajtor,” vijoi Adams, duke iu referuar bastisjes së FBI-së në shtëpinë e komisionerit të tij të përkohshëm të policisë së sapoemëruar, i cili mori detyrën pas dorëheqjes së ish-komisionerit të NYPD Edward Caban.
Caban dha dorëheqjen pasi telefoni i tij u sekuestrua si pjesë e një hetimi të veçantë federal.
“Unë do t’i luftoj këto padrejtësi me çdo grimcë të forcës dhe shpirtit tim,” tha Adams.
Deklaratat e tij nuk ndikuan aspak qëndrimin e kandidatëve që kërkojnë ta sfidojnë atë për kryetar bashkie vitin e ardhshëm.
“Rruga më e përshtatshme përpara është që ai të tërhiqet,” tha supervizori financiar i qytetit Brad Lander në një deklaratë të postuar në X.
Senatori i shtetit Zellnor Myrie tha se qyteti ka nevojë për “një kryetar që është plotësisht të përqendruar “.
“Sot po i bëj thirrje që të japë dorëheqjen”, tha ai.
Ish-supervizori Scott Stringer bëri komente të ngjashme.
“Thjesht ka zero mundësi që të ecim para mekëtë pengesë. Kemi mbetur me një tren të prishur të një qeverie komunale. Kryetari duhet të japë dorëheqjen për të mirën e qytetit.” – tha Stringer. “
Senatorja e shtetit Jessica Ramos nuk i bëri thirrje Adams të jepte dorëheqjen, por sugjeroi se ai ka humbur aftësinë për të qeverisur.
“Gjatë dy viteve e gjysmë të fundit, kjo administratë e ka bërë qytetin më të shtrenjtë, ndërsa ata që janë afër kryebashkiakut kanë përfituar financiarisht,” tha ajo në një deklaratë të postuar për X.
“Kjo është një tradhti ndaj çdo njujorkezi punëtor.”
Ndërkohë që hetimet rreth tij kanë arritur në një nivel të lartë, Adams ka këmbëngulur se ai nuk do e japë dorëheqjen.
“Populli i këtij qyteti më zgjodhi mua për të luftuar për ta, dhe unë do qëndroj dhe do të luftoj pa marrë parasysh asgjë,” tha ai në një deklaratë më herët të mërkurën, duke iu përgjigjur thirrjes së mëparshme të Kongresmenes demokrate Alexandria Ocasio-Cortez për dorëheqjen e tij.
Nëse ai do dorëhiqet, Avokati Publik i qytetit të Nju Jorkut, Jumaane Williams do bëhej kryetar bashkie në detyrë dhe një zgjedhje speciale jopartiake do mbahej për të plotësuar postin.
“Lajmi për këtë aktakuzë është në vetvete tepër serioz”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Williams, William Gerlich.
“Ndërsa dalin faktet, avokati publik do të ketë më shumë për të thënë.”
Thirrjet për dorëheqjen e tij nuk duhet të jenë surprizë. Përveç përllogaritjeve të dukshme politike që po aplikojnë rivalët e tij, nuk ka asnjë precedent në historinë e qytetit të Nju Jorkut që një kryetar bashkie të akuzohet penalisht ndërsa është në detyrë.
“Kemi pasur disa kryebashkiakë të pahijshëm që janë larguar nga posti përpara se mandatet e tyre të kenë përfunduar,” tha Doug Muzzio, një profesor i shkencave politike në Kolegjin Baruch.
“Nuk kemi pasur kurrë një kryetar bashkie me akuza penale. Kryebashkiaku e shkeli ligjin – me sa duket. Por ata nuk do e akuzojnë një kryebashkiak në detyrë nëse nuk kanë një çështje të kopsitur.”
Adams dhe fushata e tij kanë mbrojtur pafajësinë e kryetarit të bashkisë për muaj të tërë pas një serie bastisjesh të FBI-së që synonin figura afër fushatës së kryetarit të bashkisë në vitin 2021.
Më 2 nëntor, agjentët federalë u shpërndanë në shumë vende rreth qytetit ku kryen bastisje në shtëpitë dhemorën në pyetje personave të lidhur me Adams, duke përfshirë ish-arkëtarin e fushatës së tij, një ndihmës të përqendruar në marrëdhëniet me Turqinë dhe një ish-ekzekutiv të Turkish Airlines i cili shërbeu në ekipin e tranzicionit të Adams. Ditë më vonë, agjentët federal ndaluan vetë Adams-in në rrugë dhe i konfiskuan disa pajisje elektronike.
Gjatë gjithë procesit, Adams ka thënë se ai nuk ka thyer asnjë ligj.
“Duhet shumë disiplinë për të mbrojtur veten kur e dini se nuk keni bërë asgjë të keqe,” tha Adams më 16 gusht, një ditë pasi The Times raportoi se një raund i dytë fletëthirrjesh i kishte shkuar kryetarit të bashkisë në fillim të verës.
“Unë i besoj ekipit tim.”
Njerëz të afërt me Adams, si ish-guvernatori David Paterson, kanë teorizuar se hetimi i drejtuar nga Departamenti i Drejtësisë i Presidentit Joe Biden është menduar si ndëshkim politik për kritikat e Adams ndaj politikës kufitare të Biden.
Fakti që zyra e Prokurorit të SHBA do ngrinte një aktakuzë brenda pak javësh nga zgjedhjet e përgjithshme presidenciale është e jashtëzakonshme. Është praktikë e zakonshme brenda Departamentit të Drejtësisë që të mos ndërmerren hapa të hapur hetimorë në çështjet politike në prag të zgjedhjeve, zakonisht i njohur si rregulli 60-ditor.
Siç ka raportuar më parë POLITICO, Adams ka udhëtuar shumë herë në Turqi dhe ka lidhje të thella me diasporën turke në Bruklin, ku shërbeu si Senator shtetëror dhe më pas në rolin kryesisht ceremonial të presidentit të bashkisë së Bruklinit përpara se të merrte kryesinë e bashkisë në vitin 2022.
Adams tashmë ka mbledhur miliona dollarë për fushatën e tij të rizgjedhjes dhe efekti që kjo aktakuzë do ketë në përpjekjet e tij mbetet i paqartë. Disa sfidues kanë hapur tashmë llogaritë e fushatës, ndërsa ish-guvernatori Andreë Cuomo e ka parë nga larg dhe mund të hyjë në betejë nëse Adams dobësohet rëndë nga rasti i ardhshëm.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani