Rusia duhet të përditësojë doktrinën e saj bërthamore për të përcaktuar qartë rrethanat që mund ta shtyjnë Moskën të nisë një sulm bërthamor, tha Presidenti Vladimir Putin në një takim të këshillit të sigurisë kombëtare të mërkurën. Ai sugjeroi gjithashtu një listë të zgjeruar të kërcënimeve që do përfshinte “informacion të besueshëm” të një sulmi të madh ajror që po fillonte kundër Rusisë.
Lista e kritereve që do justifikonin përdorimin nga Rusia të parandalimit të saj bërthamor duhet të zgjerohet në modelin e përditësuar të doktrinës, tha Putin në takim.
“Agresioni kundër Rusisë nga çdo shtet jo-bërthamor i mbështetur nga një fuqi bërthamore duhet të trajtohet si sulm i tyre i përbashkët”, tha presidenti.
Moska gjithashtu do “konsideronte” të përdorte një përgjigje bërthamore nëse merr “informacion të besueshëm” për një sulm raketor “të madh” ose sulm ajror të nisur nga një shtet tjetër kundër Rusisë, ose aleatit të saj më të afërt, Bjellorusisë, sipas Putinit. Armët e përdorura në sulmin e mundshëm të armikut mund të përfshijnë çdo gjë nga raketat balistike lundruese deri te avionët strategjikë dhe dronët, tha ai.
“Ne rezervojmë të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast agresioni kundër Rusisë dhe Bjellorusisë”, tha presidenti rus, duke shtuar se parimi tashmë ishte bashkërenduar me Minskun. Armët bërthamore mund të përdoren nëse një armik paraqet një “kërcënim kritik për sovranitetin e secilit shtet përmes përdorimit të armëve konvencionale”, shpjegoi ai.
Putin nuk sqaroi se kur do hyjnë në fuqi ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë. Zyrtarë të lartë rusë, duke përfshirë zëvendësministrin e Jashtëm Sergej Ryabkov dhe zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, kanë diskutuar ndryshimet e mundshme në doktrinë muajt e fundit. Në fund të gushtit, ministri i Jashtëm Sergej Lavrov tha se dokumenti ishte “duke u shqyrtuar”.
Udhëheqësi rus ka demonstruar prej kohësh një qëndrim mjaft të rezervuar për çështjen e armëve bërthamore. Në qershor, ai shprehu shpresën se “nuk do vijë kurrë” në një shkëmbim bërthamor midis Moskës dhe Perëndimit.