Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se një sulm konvencional kundër Rusisë nga ndonjë vendi i cili mbështetet nga një fuqi bërthamore, do të cilësohet si sulm i përbashkët.
Putini e tha këtë më 25 shtator kur i shpalosi ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë së Rusisë në Moskë.
Doktrina e tanishme bërthamore e Rusisë thotë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore në rast se armiku kryen sulm bërthamore ndaj saj, ose nëse përballet me sulm konvencional i cili e rrezikon ekzistencën e shtetit.
Versioni i ndryshuar i dokumentit thotë se Rusia mund të përdorë armë bërthamore si përgjigje ndaj një sulmi konvencional i cili përbën “rrezik kritik për sovranitetin tonë”, tha Putin.
“Propozohet që agresioni kundër Rusisë nga një shtet pa armë bërthamore, por mbështetjen apo pjesëmarrjen e një fuqie bërthamore, të cilësohet si sulm i përbashkët i tyre ndaj Federatës Ruse”, tha Putin.
“Kushtet për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia janë gjithashtu të caktuara shumë qartë”, tha Putin, duke shtuar se Moska do ta ketë parasysh një sulm të tillë, nëse merr informata të besueshme për fillimin e një sulm të madh përgjatë kufirit nga ajri, me raketa lundruese, dronë dhe armë hipersonike.
Putini tha gjithashtu se lista e shteteve dhe aleancave ushtarake që i nënshtrohen parandalimit të përdorimit të armëve bërthamore duhet të zgjerohet, por nuk përmendi cilat vende do të shtoheshin.
Një zyrtar i lartë i Qeverisë ukrainase i dënoi ndryshimet në dokrinën ruse, duke thënë se ato dëshmojnë se Moskës nuk i ka mbetur asgjë tjetër përveç shantazhit bërthamor për ta frikësuar botën.
“Rusia nuk ka më asnjë instrument për ta frikësuar botën përveç shantazhit bërthamor,” tha Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas, më 25 shtator, në Telegram.
“Këto instrumente nuk do të funksionojnë”, shtoi ai.
Prej kur Putini i dërgoi trupat ruse në Ukrainë në vitin 2022, ai dhe të tjerët në Kremlin e kanë kërcënuar Perëndimin me arsenalin bërthamor të Rusisë për të mos e lejuar ta rrisë mbështetjen për Kievin.
Ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë u bënë në një kohë kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po kërkon leje nga aleatët e tij në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për t’i përdorur armët me rreze të gjatë veprimi për të goditur thellë brenda tokës ruse.
Putin ka paralajmëruar në të kaluarën se përdorimi i armëve të tilla nga Kievi do ta zhyste NATO-n në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë./REL