Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria shkëputet nga Maqedonia e Veriut për integrimin në BE, “braktiset” Shkupi


Rruga e pranimit të Shqipërisë në BE do shkëputet nga ajo e Maqedonisë së Veriut, me grupet e para të negociatave që do hapen zyrtarisht më 15 tetor, sipas një vendimi njëzëri të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mërkurën më 25 shtator, tha një zëdhënës për Euractiv.

Rruga e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE u shoqërua me fillimin e negociatave të nisura zyrtarisht në verën e vitit 2022. Megjithatë, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Shkupit dhe Bullgarisë, hapja e kapitujve është shtyrë pa fund duke ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e Tiranës.

Hapi i radhës pritet të bëhet nga Shqipëria në mes të tetorit në kuadër të konferencës ndërqeveritare dhe hapjes së “Cluster 1-Fundamentals”.

Ky grup përfshin disa kapituj – prokurimi, statistikat, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria dhe kontrolli financiar.

Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur kërkesat për ecurinë në rrugën e saj në BE, por është një pengesë për Maqedoninë e Veriut, e cila edhe një herë dështon të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE.

Pas vitesh zhgënjimi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord nën presidencën franceze të BE-së në korrik 2022, për të ndryshuar kushtetutën e saj dhe për të përfshirë pakicën bullgare së bashku me pakicat e tjera të përmendura aktualisht si “populli turk, populli vllah, populli serb, romët, populli boshnjak dhe popujt e tjerë”.

Kjo do bënte që Sofja të heqë veton dhe përparimin e bisedimeve të Shkupit. Megjithatë, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe konsensusit në Maqedoninë e Veriut, që do të thotë se dy vendet e kanë parë procesin e tyre të pranimit në ngërç.

Aktualisht, 100.000 qytetarë maqedonas kanë marrë nënshtetësinë bullgare, që do të thotë se kanë vërtetuar rrënjët e tyre bullgare.

Që kur partia nacionaliste VMRO-DPMNE fitoi zgjedhjet majin e kaluar, qeveria e re e Hristijan Mickoski e ka bërë të qartë se dëshiron të rinegociojë të ashtuquajturin “kompromis francez”.

Siç pritej, BE-ja e hodhi poshtë këtë qëndrim dhe paralajmëroi se hapi tjetër do ishte shkëputja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria dhe dhënia e mundësisë Tiranës për të përparuar.

Pas zgjedhjeve të majit, Maqedonia e Veriut u përball me fqinjët e saj grekë dhe bullgarë të BE-së. Së pari, presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, sfidoi Greqinë duke mos përdorur emrin kushtetues “Maqedonia e Veriut” gjatë fjalimit të saj të përurimit.

Maqedonia e Veriut i shtoi emrin “Veriu” në vitin 2018 për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë, pas marrëveshjes historike të Prespës.

Kohët e fundit, qeveria e Mickoskit zgjodhi një përballje me Sofjen me pretekstin se protokolli i presidentit bullgar nuk valëviti flamurin e Maqedonisë së Veriut gjatë një vizite të fundit të Siljanovska-Davkova në Sofje.

Në fakt, vizita ishte jozyrtare, pasi Siljanovska-Davkova shkoi për të marrë pjesë në një shfaqje operistike dhe nuk kishte asnjë kërkesë protokollare për të mbajtur flamurin në këtë rast.

Episodi, megjithatë, po helmon marrëdhëniet dhe presidenti bullgar la të kuptohet se skandali u organizua nga forca të fuqishme që nuk dëshirojnë që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e BE-së.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Euractiv