Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Salianji vendosi të përballet me burgun politik të caktuar nga Rama


Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD, në një konferencë për mediat nga selia e kësaj partie, tha se vendimi i Apelit ndaj deputeti Ervin Salianji është politik dhe i urdhëruar nga Edi Rama.

Ai u shpreh se ndaj kësaj padrejtësie ne nuk duhet të pajtohemi, nuk duhet të nënshtrohemi, dhe për këtë arsye i kërkojmë Ervin Salianjit të mos e zbatojë vendimin politik të Edi Ramës të firmosur nga 3 gjyqtarë të Apelit.

Bardhi tha se nga ky moment nuk do të ketë asnjë marrëdhënie normale institucionale me mazhorancën e komanduar nga Edi Rama. Bardhi u shpreh se do të ketë një përshkallëzim të aksionit opozitar, duke nisur nga data 6 tetor.

“Kjo nuk është betejë që ne demokratët e bëjmë për partinë, por e bëjmë për Shqipërinë”, tha Bardhi.

“Në përfundim të mbledhjes së Grupit Parlamentar dua të ndaj me ju qëndrimin e grupit lidhur me vendimin e djeshëm politik të urdhëruar nga Edi Rama, dhe të shkruar dhe të shpallur nga një Gjykatë Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm.

Ky është një akt i mirëfilltë hakmarrjeje të grupeve kriminale ndaj një deputeti të opozitës që ka pasur guximin ti drejtojë gishtoin lidhjeve të grupeve kriminale me pushtetin e Edi Ramës”, tha Bardhi.

Në këtë kuadër, Bardhi tha se Grupi Parlamentar në mënyrë unanime vendosi ngujimin pa afat dhe pa ndërprerje të deputetëve në selinë e PD-së.

“Në këtë rast jemi të detyruar të respektojmë vendimin personal të deputetit Ervin Salianji, i cili ka vendosur që të përballet me të keqen, pa prova, pa fakte, me burgun politik që i ka caktuar Edi Rama. Kjo sakrificë duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për secilin prej nesh”, tha Bardhi, duke shtuar se vendimi personal i Salianjit do të zbatohet.