Deputeti i PD-së Ervin Salianji është dënuar me një vit burg nga Apeli i Gjykatës së Posaçme pas dënimit të shkallës së parë në dhjetor 2019.
Ai është dënuar për kallëzim të rremë lidhur me audiopërgjimin ku pretendohej se ishte vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, në një episode ku flitej për trafik ndërkombëtar droge.
Salianji dhe PD-ja e kanë quajtur dënim akt politik me urdhër të kryeministrit Rama ndërsa demokrati ka deklaruar se i qëndron denoncimit dhe se çështja është manipuluar nga institucionet.
Prokurorja që do nënshkruajë arrestimin e Salianjit është caktuar me short të jetë Elona Alvora ndërsa deputeti demokrat është ftuar ta zbatojë vullnetarisht atë.
Vendimi u mor nga një treshe gjyqtarësh e përbërë nga Elona Toro, Genti Shala e Iliba Bezati.
Pas dënimit nga Apeli, Salianji, do humbë mandatin e deputetit dhe i ndalohet të kandodojë në zgjedhjet e vitit 2025 dhe ato të katërv viteve më pas në 2029-ën.
Në audiopërgjimin e publikuar nga deuteti i PD-së Salianji në selinë blu në maj të vitit 2018, pretendohej se po zhvillohej një bisedë telefonike mes Agron Xhafajt dhe Albert Veliut, një ish-i dënuar në Itali për trafik droge për ta ndihmuar Veliun për një ngarkesë.
Çështja nxiti debate të forta politike asokohe me opozitën që kërkoi dorëheqjen e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ndërsa ky i fundit mohoi përfshirjen e të vëllait në këtë gjë.
Kryeministri Rama e quajti audiopërgjimin të manipuluar ndërsa tha se për këtë kishte marrë përgjigjen e një laboratori të specializuar jashtë vendit.
Sipas prokurorisë audiopërgjimi ishte inskenuar dhe se zëri në të nuk ishte i Agron Xhafajt po i Fredi Alizotit, i cili pretendohet se e kishte marrë përsipër këtë gjë në këmbim të parave.
Sipas deklaratave të Alizotit asokohe, atij i ishin premtuar 100 mijë euro nga Veliu, të cilin e ka kunat, për të imituar zërin e Agron Xhafajt.
Ky i fundit më 16 maj 2018, pak ditë pas publikimit të audiopërgjimit vendosi të dorëzohej në Itali te autoritetet e atjeshme për të kryer një dënim me burg. Xhafaj shkroi një letër të hapur ku deklaronte se po dorëzohej për të kryer dënimin atje edhe pse nuk kishte pasur një kërkesë nga autoritetet italiane për ekzekutimin e vendimit në fjalë.
Sipas prokurorisë, Salianji ka inskenuar audiopërgjimin dhe ka premtuar para Veliut e Alizotit ndërsa deputeti i PD-së ka publikuar disa përgjime sipas të cilave vërtetohet se Fredi Alizoti është kontigjent policie, dëshmitar i rremë në çështjen ndaj tij dhe se është paguar nga drejtorët e policisë Andrea Marko e Albert Nushi për dëshmi të rreme.
“Të gjitha përgjimet tregojnë që Fredi Alizoti është paguar nga Ardi Veliu ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë, nga drejtori i Policisë Fier dhe Andon Marko ish-zv/drejtor i Policisë Fier, të tre këta i çojnë lekë. Ishte rekrutuar sepse ishte kontigjent i policisë, kishte 6 dënime”, ka thënë Salianji, i cili shtoi se dëshmitë e Alizotit janë marrë parasysh ndërkohë që tre dëshmitë e bëra prej tij, Albert Veliut dhe gazetarit Jetmir Olldashi nuk janë marrë parasysh.
Fredi Alizoti u lirua nga burgu në shkurt 2020 pasi dy vitesh dënim për dosjen e ashtuquajtur Babale.
Dënimi i Ervin Salianjit është dënuar ashpër nga PD-ja që ka paralajmëruar protesta të ashpra në mbarë vendin kundër atij që e quajti dënim politik me urdhër të kryeministrit Rama.