Izraeli tha të enjten se kishte siguruar një paketë ndihme prej 8.7 miliardë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për të mbështetur luftën me Hamasin e Hezbollahun si dhe për të ruajtur një përparësi ushtarake në rajon.
Paketa përfshin 3.5 miliardë dollarë për prokurimet thelbësore të kohës së luftës, të cilat tashmë janë marrë dhe të destinuara për blerjet e rëndësishme ushtarake, dhe 5.2 miliardë dollarë të destinuara për sistemet e mbrojtjes ajrore, duke përfshirë sistemin antiraketë Iron Dome, David’s Sling dhe një sistem të përparuar lazer.
Izraeli tashmë po lufton në dy fronte, kundër grupit palestinez Hamas në Gaza dhe lëvizjes Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban.
Njoftimi i ndihmës erdhi pas negociatave në Pentagon midis Eyal Zamir, drejtorit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, dhe zyrtarëve të mbrojtjes së SHBA-së, përfshirë nënsekretaren në detyrë të Mbrojtjes Amanda Dory, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.
Ministria tha se marrëveshja nënvizon “partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm strategjik midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara dhe angazhimin e hekurt për sigurinë e Izraelit”, veçanërisht në adresimin e kërcënimeve të sigurisë rajonale nga Irani dhe milicitë e mbështetur nga Irani.
Izraeli është zotuar të sigurojë veriun e tij dhe të kthejë mijëra qytetarë në komunitetet atje, të cilët janë evakuuar që kur Hezbollahu nisi një fushatë sulmesh ndërkufitare vitin e kaluar në solidaritet me militantët palestinezë që luftojnë në Gaza.
Qëndrimi i Izraelit ka shkatërruar shpresat për një zgjidhje të shpejtë pasi kryeministri libanez Najib Mikati, qeveria e të cilit përfshin elementë të Hezbollahut, kishte shprehur shpresën për një armëpushim.
Qindra mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre gjatë bombardimeve më të rënda izraelite të Libanit që nga një luftë e madhe në 2006.