Vendosni fjalën kyçe....

Liban, në sulmet izraelite në 24 orët e fundit humbin jetën 94 persona


Të paktën 94 persona kanë humbur jetën dhe 168 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore që ushtria izraelite ka kryer në pjesë të ndryshme të Libanit gjatë ditës së fundit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, është dhënë informacion lidhur me humbjet e jetëve në 24 orët e fundit në sulmet ajrore të vazhdueshme të Izraelit.

Në provincën Nabatieh në jug të vendit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 42 persona, ndërsa 14 persona humbën jetën dhe 38 të tjerë u plagosën në provincën jugore, sipas ministrisë.

Gjithashtu 23 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore në rajonin Beqaa në lindje të Libanit.

Në sulmet e Izraelit në rajonin Baalbek Hermel bëhet e ditur se kanë humbur jetën 25 persona dhe janë plagosur 14 të tjerë.

Ushtria izraelite ka vënë në shënjestër nga ajri edhe rajonin Jabal Libanon ku 4 persona kanë humbur jetën dhe 29 të tjerë janë plagosur.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 2 persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën në sulmin ajror të Izraelit në lagjen Dahieh të kryeqytetit Bejrut.