Aktorja legjendare britanike Dame Maggie Smith, e njohur për rolet e saj në filmat “Harry Potter” dhe serialin “Downton Abbey”, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, sipas një njoftimi të familjes së saj.
Dame Maggie, fituese e dy çmimeve Oscar, kishte një karrierë të gjatë dhe të pasur në teatër dhe kinematografi.
Ajo fitoi Oscarin e parë në vitin 1970 për rolin e saj në “The Prime of Miss Jean Brodie” dhe të dytin në vitin 1979 për “California Suite”. Përveç këtyre, ajo ishte nominuar edhe katër herë të tjera dhe kishte fituar tetë çmime Bafta gjatë karrierës së saj, përcjell BBC.
Në filmat “Harry Potter”, Dame Maggie luajti Profesoren Minerva McGonagall, e njohur për kapelën e saj karakteristike të magjistares dhe qëndrimin e saj të rreptë me studentët në shkollën e magjisë Hogwarts.
Ndërsa në dramën hit të ITV, “Downton Abbey”, ajo portretizoi Violet Crawley, Konteshën e Grantham-it, e cila shquhej për batutat e saj therëse.
Në një deklaratë të lëshuar nga djemtë e saj, Toby Stephens dhe Chris Larkin, ata shprehën pikëllimin e madh për humbjen e nënës dhe gjyshes së tyre të dashur:
“Ajo u nda nga jeta në mënyrë paqësore në spital herët këtë mëngjes, e rrethuar nga familja dhe miqtë e saj. Na mbeten dy djem dhe pesë nipër e mbesa të cilët janë të shkatërruar nga kjo humbje e jashtëzakonshme.”
Hugh Bonneville, kolegu i saj në “Downton Abbey”, tha: “Çdo aktor që ka ndarë një skenë me Maggie do të dëshmojë për talentin e saj të jashtëzakonshëm dhe humorin e saj të mprehtë. Ajo ishte një legjendë e gjeneratës së saj.”
Dame Maggie luajti për herë të fundit në filmin “The Miracle Club” në vitin 2023, duke bashkëpunuar me aktoret Kathy Bates dhe Laura Linney.