Numri i viktimave nga uragani Helene, i cili ka goditur juglindjen e SHBA-së, vazhdoi të rritet të premten. “Atlanta Journal-Constitution” raportoi se gjashtë persona humbën jetën vetëm në shtetin e Gjeorgjisë.
Sipas raportimeve, dy persona në qarkun Laurens dhe dy të tjerë në qarkun Jeff Davis vdiqën si pasojë e rrëzimit të pemëve.
Dy persona të tjerë humbën jetën kur një tornado e dyshuar përmbysi shtëpinë e tyre mobile, përcjell The Guardian.
Ndër viktimat e raportuara në zona të tjera janë një vajzë katërvjeçare e cila vdiq në një aksident të lidhur me stuhinë dhe një person që u vra nga një pemë e rënë mbi shtëpinë e tij, të dyja në Karolinën e Veriut. Gjithashtu, dy viktima janë raportuar në Florida në incidente të ndara.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, pritet të informojë gazetarët së shpejti mbi situatën në shtetin e tij.