Vendosni fjalën kyçe....

Burgosja e Salianjit, Berisha: Protestë kombëtare dhe mosbindje civile, do realizojmë përmbysjen e kësaj ngrehine droge


Kryetari i PD, Sali Berisha nëpërmjet një konference online me gazetarët, foli mbi burgosjen e deputetit Ervin Salianji, të cilin e konsideroi “akt lufte” ndaj opozitës .

Ai ndër të tjera tha se data 6 tetor do të jetë dita e protestës kombëtare dhe nisja e mosbindjes civile.

Lideri i opozitës përsëriti gjithashtu kërkesën për qeveri teknike, si kushtin e vetëm, sipas tij, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në 2025.

Sali Berisha: Arrestimi i deputetit Salianji është akt lufte ndaj nesh, por jo akti i parë i saj. Rama e shpalli me kohë luftë, që kur rrëmbeu flamurin e PD, më vuri në masën arrest me burg mua si kreun e PD, apo persekutoi Metën. Jam sot para jush për të deklaruar se PD do t’i përgjigjet këtij akti lufte me qëndresën më të fuqishme qytetare, me mosbindje civile, se kjo parti nuk shmang proceset zgjedhore e as kalon në klandestinitet por do të përdorë trimërinë e mijëra anëtarëve për t’i dhënë përgjigjen e meriuar mafies Rama-Xhafa, që të realizojë atë që në pamje të parë duket si mision i pamundur.

Do të realiojmë përmbysjen e kësaj ngrehine droge e krimi. Do të sigurojmë zgjedhje të lira me qeveri teknike. O sot o kurrë, demokratët janë të ftuar t’i përkushtohemi me çdo gjë kësaj beteje vendimtare për fatin e PD, fatin e opozitës dhe pluralizmit e fitoren mbi krimin e mafies, vendimtare për fatin e Shqipërisë. 6 tetori do të jetë protestë kombëtare dhe mosbindje civile.