Izraeli ka shpallur vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një përshkallëzim të madh të konfliktit.
Kjo ngjarje ka ndodhur gjatë një serie sulmesh të ashpra në Liban, ku forcat izraelite kanë kryer bombardime masive në Luginën Bekaa, përcjell The Guardian.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë konfirmuar përmes një postimi në X, se Nasrallah, që ishte në krye të Hezbollahut për 32 vjet, është vrarë. Sipas tyre, ai “nuk do të jetë më në gjendje të terrorizojë botën”.
Ky zhvillim shënon një përshkallëzim dramatik të luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut, një organizatë e mbështetur nga Irani, që përfshihet në sulme ndaj Izraelit që nga fillimi i konfliktit më 8 tetor, pas sulmeve të Hamasit në Izrael.
Nasrallah ka pasur një rol kyç në trajnimin e luftëtarëve të Hamasit dhe milicive të tjera në Irak dhe Jemen, ndërsa ka siguruar raketa dhe mjete ushtarake nga Irani për t’i përdorur kundër Izraelit.
Ndërkohë, mijëra banorë të Bejrutit janë larguar nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga bombardimet izraelite, ndërsa raportohet për sulme intensive në disa zona të Libanit.