Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Financave mbledh Këshillin Tatimor, në fokus goditja e nëndeklarimit të pagave


 

Ministri i Financave ka mbledhur Këshillin Tatimor ku ka prezantuar strategjinë e të ardhurave deri në 2027-ën.

Fokusi i saj do të jetë rritja e të ardhurave tatimore e doganore. Ministri ka thënë se një nga shtyllat kryesore të saj do të jetë goditja e fenomenit të nën deklarimit të pagave si dhe përmes inteligjencës artificiale do të luftojnë informalitetin.

“Komponent kryesor i kësaj shtylle është edhe dixhitalizimi i plotë i sistemit të fiskalizimit, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale, në mënyrë që të rrisim deklarimet si dhe të ulim informalitetin. Normalisht nëpërmjet këtyre instrumenteve ne do të rrisim edhe profilizimin e riskut për tatimpaguesit, si dhe do të mundësohet investigimi i rasteve të shmangies tatimore”, tha z. Malaj.

Sa i përket miradministrimit doganor, Ministri tha se fokusi kryesor do të jetë në zhvillimin e sistemeve të IT-së, në mënyrë që administrata doganore të ketë mundësi që të bëjë një profilizim më të thelluar të riskut për subjektet tatimpaguese, sikundër dhe të rrisë zhvillimin analitik të të dhënave të tyre në mënyrë që të sigurohet një rritje e qëndrueshme në mbledhjen e të ardhurave doganore.

Mbledhja e Këshillit Tatimor vijoi me një prezantim të detajuar të draft Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit, 2024-2027, e më pas me diskutime nga anëtarët e KT.