Vendosni fjalën kyçe....

Policia e Hamburgut sekuestron 2 ton kokainë, mes të arrestuarve edhe shqiptarë


Policia gjermane ka sekuestruar 2 ton kokainë në qytetin port të Hamburgut duke vënë në pranga disa persona. Sipas vlerësimit të autoriteteve droga ka një vlerë prej rreth 100 milionë euro.

“Ky është një sukses i jashtëzakonshëm dhe një nga konfiskimet më të mëdha në një operacion në vazhdim,” tha ministri i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote.

Policia tregoi se droga u gjet gjatë një kontrolli të një kontenieri transporti në rrethin e Rothenburgsort, pranë portit të Hamburgut. Dyshohet se autoritetet e policisë e  gjetën kokainën të fshehur në kuti bananesh.

Sipas policisë, kontejneri i transportit duhej të drejtohej me kamion nga terminali i konteinerëve Altenëerder në një objekt me rreze X për kontroll doganor, por shoferi devijoi nga rruga. 

Task Forca e Posaçme e Policisë ka ndërhyrë në momentin e shkarkimit të ngarkesës dhe ka arrestuar 12 të dyshuar.

Mediat gjermane raportuan se të dyshuarit ishin të moshës nga 21 deri në 43 vjeç dhe vinin nga Gjermania, Turqia, Afganistani, Iraku, Siria, Shqipëria dhe India. Disa prej tyre thuhet se ishin të njohur për policinë për vepra të lidhura me drogën.

Policia tha se oficerët kishin marrë informacione nga vende të tjera evropiane dhe se kontrolli erdhi pas javësh të hetimeve të fshehta.