Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj tha sot se me votat e diasporës, PS-ja do jetë në gjendje të fitojë me më shumë se 100 mija vota ndaj rivalëve.
Ai e bëri pohimin gjatë një turi në qarkun e Tiranës bashkë me kryetaren e Kuvendit Spiropali.
Veliaj , i cili është drejtues politik bashkë me Spiropalin në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e përgjithshme të verës së ardhshme u kërkoi strukturave që të angazhohen për të siguruar mbështetjen e votave të diasporës.
“Mesazhi i tretë ka të bëjë me votën e emigrantëve. Ne kemi potencialin për një Parti Socialiste të dytë, për një skuadër si kjo, të dytë, që jeton jashtë vendit. Në fakt, filozofia nuk duhet të jetë të shkojmë jashtë e t’i gjejmë ku votojnë. Filozofia duhet të jetë krejt ndryshe. Të gjejmë të gjitha familjet tona, kushërinjtë tanë, komshinjtë, krushqitë tona në secilën prej organizatave tona, duke ditur që janë të regjistruar, dhe duke i gjetur nga këtu, për t’i inkurajuar që, kur të hapet dritarja e KQZ-së për regjistrimin e emigrantëve, ne që aty do të duhet ta dimë sa do jetë fitorja jonë. Në Tiranë fituam me 60 mijë vota, në Kamzë me 12.500 vota, këtu me 6000 vota, në total e kemi të gjithë potencialin që, me ndihmën e diasporës, të fitojmë me mbi 100 mijë vota ndaj rivalëve tanë”, tha Veliaj.