Vendosni fjalën kyçe....

Një tjetër zyrtar i lartë i Hezbollahut është likuiduar – Izraeli


Ushtria izraelite ka pretenduar se ka eliminuar një tjetër zyrtar të lartë të Hezbollahut, Nabil Qaouk, i cili ishte pjesë e Këshillit Qendror të grupit. Kjo vjen pasi ushtria izraelite vrau shefin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe raportoi se kishte eliminuar pjesën më të madhe të udhëheqjes ushtarake të organizatës.

Në një deklaratë të dielën, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se një sulm ajror një ditë më parë “sulmoi dhe vrau terroristin” Qaouk, i cili gjithashtu drejtonte Njësinë e Sigurisë Parandaluese të Hezbollahut.

Qaouk, tha IDF, “konsiderohet të jetë afër majës se komandës” së Hezbollahut dhe “ishte i përfshirë drejtpërdrejt në nxitjen e veprimeve terroriste kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij, madje edhe ditët e fundit”. Ai shtoi se zyrtari i Hezbollahut iu bashkua grupit në vitet 1980 dhe mbantei disa poste ekzekutive në Libanin jugor.

“IDF vijon të sulmojë dhe eliminojë komandantët e organizatës terroriste Hezbollah dhe të veprojë kundër kujtdo që kërcënon qytetarët e shtetit të Izraelit”, thuhet në deklaratë.

Hezbollahu ende nuk ka komentuar mbi pretendimin izraelit. Ndërkohë, Irani ka konfirmuar raportet se sulmi izraelit vrau gjithashtu Abbas Nilforoushan, një zëvendës komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

“Ky akt i egër dhe burracak është një tjetër shenjë e qartë e natyrës terroriste dhe kriminale të regjimit sionist dhe pa dyshim, ky krim i tmerrshëm i regjimit agresor sionist nuk do mbetet kurrë pa përgjigje”, tha Ministria e Jashtme.

Të shtunën, Izraeli kreu një sulm me bomba në një kompleks të Hezbollahut në Bejrut, duke vrarë Nasrallah, i cili kishte qenë një armik kryesor i shtetit hebre për dekada.