Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, ka denoncuar në Forumin e Grave të Partive Popullore Evropiane burgosjen e deputetit Ervin Salianji, duke e quajtur atë proces gjyqësor politik.
Vokshi, që është njëherazi zv.presidente e Grave të PPE-së tha se Salianji kishte denoncuar lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë dhe se burgosja e tij është një mesazh që opozita të mbyllë gojën.
“Këtë javë, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD, Ervin Salianji, u burgos në një proces gjyqësor politik, sepse denoncoi lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë shqiptare, përkatësisht të vëllait të ministrit të Brendshëm. Mesazhi për burgosjen e kolegut tonë është mesazh për të gjithë opozitën: të mbyllim gojën. Sot kemi tre të burgosur politikë me urdhër të Edi Ramës. Nesër mund të jem dhe unë dhe çdo koleg tjetër, nëse ne nuk reagojmë për të ndalur këtë regjim putinist”, u shpreh Vokshi.
Demokratja tha gjithashtu se nga vendi janë larguar 10 vitet e fundit mbi 1 milionë shqiptarë ndërsa theksoi se vendi ka probleme me korrupsionin e qeverisë, mungesën e shtetit si dhe kontrollin e drejtësisë nga partia në pushtet.
“Në 10 vitet e fundit, janë larguar nga vendi mbi 1 milion shqiptarë, 75% e tyre në moshën më aktive, nën 40 vjeç dhe të formuar në profesionet e tyre, mjekë, infermierë, inxhinierë, IT. Ata nuk shohin një të ardhme, sepse vendi ka një problem madhor. Ka korrupsion në çdo qelizë të shtetit dhe qeveria është e lidhur me krimin e organizuar, i cili kontrollon ekonominë. Largimi i pjesës më aktive të shoqërisë, mungesa e llogaridhënies nga qeveria, e cila qendron në pushtet me votën e blerë nga krimi dhe korrupsioni, ka bërë që shoqëria të ulë rezistencën e saj ndaj keqqeverisjes”, shtoi Vokshi.