Vendosni fjalën kyçe....

“Trump më tha se do e mbështesë Ukrainën” – Zelensky


Udhëheqësi ukrainas Zelensky pretendon se kandidati republikan për president, Donald Trump, i tha atij se SHBA-ja do vijojë të mbështesë vendin e tij nëse ai zgjidhet këtë nëntor. Zelensky gjithashtu mohoi raportet se ai mbështeti rivalen demokrate të Trump, nënpresidenten Kamala Harris.

Në një intervistë me Fox News të shtunën, udhëheqësi ukrainas tha se ndërsa ai “nuk e di se kush do jetë president i SHBA-së në zgjedhjet e 5 nëntorit, Kievi do presë ndihmë nga Uashingtoni.

Ai theksoi se qëndrimi i Uashingtonit është veçanërisht i rëndësishëm pasi ai ka qenë gjithmonë mbështetësi kryesor i Kievit. Në lidhje me bisedën e tij me Trump të premten, Zelensky e përshkroi atë si “me të vërtetë produktive”.

“Kam marrë nga Donald Trump informacione shumë të drejtpërdrejta se ai do jetë në anën tonë, se ai do e mbështesë Ukrainën,” pretendoi Zelensky. Presidenti ukrainas shtoi se kandidati republikan ishte “shumë i interesuar” për të dëgjuar “drejtpërdrejt” nga ai për gjendjen në vijën e pare të frontit, si dhe nevojat e Ukrainës.

Ish-presidenti amerikan ka pohuar se do të jetë në gjendje të detyrojë Zelensky dhe presidentin rus Vladimir Putin të gjejnë një zgjidhje diplomatike “brenda 24 orëve” nga zgjedhja e tij.