Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj tha se Edi Rama dhe Partia Socialiste ia kanë ngritur kokën lart Shqipërisë.
Gjatë një takimi me strukturat në qarkun e Tiranës, ai tha se Shqipëria është më pranë se kurrë drejt anëtarësimit në BE dhe se flamuri i Shqipërisë duhet ngritur në oborrin e BE-së.
“Duhet ta ngremë Flamurin e Republikës së Shqipërisë në oborrin e Bashkimit Europian. O jemi afër sot, o s’kemi qenë kurrë më përpara! Kjo është arsyeja pse na duhet ky mandat i katërt, për ta çuar Shqipërinë në familjen evropiane, si aspirata e qindra viteve, por është fati ynë, i kësaj skuadre, i PS-së dhe Edi Ramës, që ta përmbushim këtë mision. Është i dukshëm vendimi politik që Shqipëria të ndahet nga të tjerët në rajon, si vendi që po ecën më shpejt, që po përmbush më shumë reforma, dhe është më gati për t’u bërë anëtare e re BE-së. Kjo do të thotë se me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, Shqipërisë i është ngritur koka. Sot pasaporta e Shqipërisë vlen më shumë, himni dhe flamuri i Shqipërisë respektohen më shumë, sot shqiptarët trajtohen kudo me më shumë konsideratë”, tha ai, duke ironizuar edhe situatën ku ndodhet opozita. “Qartazi ata kanë hallin e tyre, hallin e dikujt që është në katin e 8, hallin e bombave që kanë bërë, të problemeve që kanë, ndërkohë ne kemi ambicien për Shqipërinë e 2030.” – tha Veliaj.