Vendosni fjalën kyçe....

Vizita në New York, Rama ndan fotoalbumin nga takimet


Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga takimet e zhvilluara në New York.

Ai e shoqëron postimin me komentin “me fotoalbumin e një vizite krenarie për Shqipërinë në Javën e Kombeve të Bashkuara në New York, ju uroj një të diel të qetë”.

Gjatë fjalimeve që mbajti në sesione dhe takime të ndryshme, Rama ka konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Izraelin.

Kreu i qeverisë e cilësoi organizatën palestineze Hamas, si një nga shëmbëlltyrat më të këqija në botë dhe se bota duhet të jetë e bashkuar në luftën ndaj terrorit. Kreu i qeverisë foli për tmerret e luftës në Gaza dhe tha se civilët janë ata që po vuajnë.

“Dua të adresoj elefantin në dhomë. Nuk është e lehtë të mbajmë këtë takim nën sfondin e sulmeve të dhimbshme dhe vuajtjeve që solli sulmi i 7 tetorit për popullin e Izraelit dhe dhimbjet që lufta në Gaza po sjell për shumë palestinezë të pafajshëm. Ndërsa bota mund të jetë e ndarë në lidhje me mënyrën si mund të dalim nga kjo luftë, është pa dëshmuar klithmat e dhimbjes së njerëzve në Gaza, është marrëzi me pasoja shkatërruese të mos jemi të bashkuar në luftimin e terrorit. Hamasi është një nga shëmbëlltyrat më të këqija antidemokratike në botë”, u shpreh Rama, në një nga takimet e zhvilluara.

Dhe gjithashtu Rama pati edhe një mesazh për Iranin. Ai u shpreh i prerë për faktin se vendi ynë nuk do t’i dorëzojë muxhahedinët e strehuar në Shqipëri te regjimi i vendosur në Teheran, ndërsa theksoi se nuk inkurajon banorët e kampit të bëjnë politikë duke përdorur Shqipërinë si platformë.

“I dhamë strehë mijëra iranianëve kur në vendin e tyre i rrezikohet jeta nga Teherani. Paguam çmimin sepse regjimi i Teheranit na sulmoi në rrugë kibernetike duke u përpjekur të fshijë të gjithë të dhënat e sistemeve tona të shërbimeve. U detyruam të përgjigjeshim duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike dhe përzënë trupën diplomatike. Por e përsëris që iranianët janë në besën tonë.

Teherani duhet të kuptojë që kurrsesi nuk do të dorëzojmë asnjë nga ata, por edhe ata duhet ta dinë që nuk mund të bëjnë politikë duke përdorur Shqipërinë si platformë”, tha ai.