Vendosni fjalën kyçe....

E djathta ekstreme fiton zgjedhjet në Austri, partitë tradicionale bashkohen për të mos e lënë të qeverisë


Fuqitë politike tradicionale të Austrisë janë zotuar të bllokojnë Partinë e Lirisë së ekstremit të djathtë nga formimi i një qeverie pas zgjedhjeve kombëtare të së dielës, duke shënuar përpjekjen e fundit për të frenuar valën në rritje të populizmit në Evropë.

Mënyra se si ata do ta arrijnë këtë, duke përsëritur një strategji të miratuar në Gjermani dhe Francë, do të bëhet objekt i negociatave të gjata të koalicionit që fillojnë në ditët në vijim.

Pavarësisht se fitoi shumicën e votave për herë të parë në një zgjedhje kombëtare, udhëheqësi polemizues i Partisë së Lirisë, Herbert Kickl, duket se nuk ka gjasa të luajë rol në kabinetin e ardhshëm të Austrisë.

Të gjitha partitë e tjera që kanë fituar vende në parlament janë zotuar të mos punojnë me të, duke i hequr grupit të tij 50% të nevojshëm për të formuar qeverinë.

Kjo lë të hapur mundësinë që partitë e renditura në vendin e dytë dhe të tretë, Partia Popullore konservatore e kancelarit Karl Nehammer dhe Social Demokratët, të bashkojnë forcat për të sunduar vendin.

Ndërsa Partia e Lirisë mund të “krijojë një frymë të keqe” publikisht për mosmarrjen e mandatit për të formuar një qeveri, Kickl ka të ngjarë të kënaqet me mbështetjen popullore në rritje në opozitë, tha Marcus Hoë, një analist i VE Insight.

“Kjo mund t’i japë përparësi Kickl, pasi ai do godasë koalicionin e formuar nga humbësit,” tha Hoë.

“Ai nuk do kërkojë me çdo kusht të futet në qeveri por do kritikojë jopopullaritetin e saj, duke shpresuar se kjo do e forcojë Partinë e Lirisë përpara zgjedhjeve të ardhshme.”

Një kombinim i dy partive kryesore tradicionale të Austrisë është marrëveshja e pashkruar e vendit, duke përbërë më shumë se gjysmën e qeverive të saj që nga Lufta e Dytë Botërore. Me raste, Partia e Lirisë i është bashkuar njërës prej tyre për të drejtuar vendin – së fundmi nga viti 2017 në kabinetin e Sebastian Kurz – megjithëse kurrë si grupi mbizotërues.

Hapja e negociatave me Partinë e Lirisë për një koalicion të mundshëm do ishte “e pamatur”, tha Nehammer të dielën. Partia Popullore do i “qëndrojë fjalës së saj” për të mos formuar një qeveri me lëvizjen e ekstremit të djathtë për sa kohë që Kickl të mbetet kreu i saj.

Partia Popullore dhe Socialistët pritet të kenë 93 vende së bashku, sipas rezultateve paraprake – mjaftueshëm për një shumicë – por ata ende mund të përfshijnë një parti të tretë në koalicionin e tyre, me shumë gjasa NEOS-in liberal.

“Unë nuk do të të kem në qeveri,” i tha Kickl kreut të NEOS, Beate Meinl-Reisinger.

“Thjesht mendoj se je gabim për vendin.”

Kickl ishte i shpejtë për të dënuar masën për ta pezulluar atë nga bisedimet, duke akuzuar kundërshtarët e tij për thyerje të precedentit kushtetues dhe anashkalim të vullnetit të votuesve.

“Tani Partia e Lirisë është më e forta dhe papritur gjithçka supozohet të jetë ndryshe,” i tha ai transmetuesit publik ORF.

“Kjo është përpjekja e tyre e radhës për të mashtruar njerëzit.”

Karl Nehammer flet me mediat pas votimit në ditën e zgjedhjeve në Vjenë më 29 shtator

Për Kickl, fakti që ai konsiderohet një prani toksike nga shumica e konkurrentëve nuk ndihmon. Ai është zotuar të dëbojë azilkërkuesit dhe të ndalojë mbështetjen e mbrojtjes së Ukrainës kundër agresionit rus.

Bllokimi i së djathtës ekstreme i ngjan modeleve politike në gjithë Evropën. Në Gjermani, AfD fitoi zgjedhjet rajonale në Turingen, por më pas partitë e tjera kundërshtuan të angazhoheshin me të. Një aleancë e krahut të majtë në Francë ndaloi Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen që nuk arriti të fitonte një fitore zgjedhore në korrik.

Ndërkohë, grupi i ekstremit të djathtë të Geert Wilders mori pushtetin në Holandë si anëtar i një koalicioni me katër parti, por vetë Wilders nuk është pjesë e ekzekutivit.

Një mundësi e tillë duket e pamundur në Austri, pasi Kickl ka thënë se një vendim i ngjashëm nga shefi i atëhershëm i partisë Jörg Haider në fillim të viteve 2000 për t’i dhënë postin e kancelarit Partisë Popullore – pavarësisht se ishte përpara tyre në zgjedhje – ishte një gabim.

Një koalicion trepartiak do ishte i pari për Austrinë dhe gjetja e bazës së përbashkët për një program të përbashkët qeveritar do ishte një detyrë e mundimshme. Të gjithë krerët e partisë – madje edhe Kickl – pajtohen se “diçka duhet të ndryshojë” në vend, por ata nuk pajtohen për hollësitë.

Negociatat e koalicionit austriak tradicionalisht kanë marrë muaj, kështu që bisedimet mund të zgjasin vitin e ardhshëm. Ekipi ekzistues i Nehammer – i përbërë nga Partia Popullore dhe të Gjelbërit – do vijojë të qeverisë ndërkohë.

Kushdo që të formojë qeverinë e ardhshme do përballet me një listë të gjatë sfidash politikash.

Pavarësisht se është një nga vendet më të pasura të Evropës bazuar në prodhimin e brendshëm bruto për frymë, konkurrueshmëria e bazës industriale të Austrisë është në rrezik nga rritjet agresive të pagave dhe ndihmat e qeverisë për të kompensuar inflacionin e shpejtë. Fundi i mundshëm i dërgesave të gazit rus në dhjetor heq një burim më të lirë energjie dhe kalimi në burime alternative është i mbushur me rreziqe.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatit për Hashtag.al, Klodian Manjani