Në një postim në rrjetet sociale, Ervin Salianji ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të ndërprerë mandatin e tij si deputet. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali shpalli vakancën në fillim të seancës dhe kërkoi nga KQZ vijimin e procedurave për zëvendësimin e tij.
Salianji akuzoi kryeministrin Edi Rama për heqjen e mandatit, duke theksuar se ky është një veprim politik. Ai shprehu krenarinë për shërbimin ndaj qytetarëve të Korçës dhe premtoi se, edhe nga burgu, do të vazhdojë të jetë një sfidë për mazhorancën.
“Sot me vendimin politik të Edi Ramës, socialistët vendosin ta fshijnë emrin tim nga radhët e opozitës në Parlament, duke hequr mandatin e dhënë nga qytetarët e Korçës!
Jam krenar që në çdo ditë të ekzistencës time politike i kam shërbyer vetëm interesit të qytetarëve! Edhe nga burgu politik do të vazhdoj të jem tmerri i atyre që mendojnë se me izolimin tim do të më mbyllin gojën.
Asgjë nuk më ndal! Beteja politike vazhdon!”, shkruan Salianji.