PD-ja ka braktisur Komisionin e Integrimit ndërsa deputeti i PD-së Edi Paloka i pranishëm në mbledhje lëshoi akuza kundër PS-së e qeverisë se ka kapur drejtësinë.
Ai tha se drejtësia e reformuar e Ramës ka lënë në arrest shtëpie, burrgosur ose u ka hapur çështje penale krerëve të opozitës.
Paloka tha gjithashtu se Shqipëria nuk plotëson tani për tani asnjë nga kushtet e integrimit në BE. Demokrati ceku çështjen e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese duke thënë se deputetët e PS-së nuk respektojnë vendimet e saj.
“Shqipëria e Edi Ramës nuk plotëson asnjë nga kushtet e BE-së. Për fat të keq nuk plotëson asnjë nga kriteret e BE aktualisht që flasim, kur pritet edhe hapja e negociatave. Reforma elektorale, kushtet e të cilës prej 11 vitesh nuk plotësohen dhe regjimi nuk lejon zgjedhjet e barabarta në Shqipëri, edhe pse i kërkon OSBE-ODIHR. Kjo drejtësi e kapur dhe në duart e Edi Ramës. Sot në prag të zgjedhjeve të gjithë krerët e partive opozitare janë nën arrest, persekutim apo në çështje penale nga kjo drejtësi e reformuar. Fredi Beleri u arrestua dhe u burgos dhe u zgjodh eurodeputet duke qenë në burg. Një tjetër koleg i yni dy ditë më parë, Ervin Salianji, po si Fredi Beleri, pa dëshmitarë e prova u çua në burg. Po kështu çështjet e inceneratorëve dhe të tjera që publiku i njeh, skandale të qeverisë që drejtësia e re mbyll sytë e që kanë firmën e Edi Ramës. Ky Parlament nuk zbaton më as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si çështja Xhaçka, që është mjaft domethënëse për të kuptuar realitetin ku jemi dhe sa të gatshëm jemi ne për t’u integruar. E fundit nga pikat që kërkon dhe Bashkimi Europian, është shkelja e marrëveshjes së MSA-së, PPP dhe tenderat ndërkombëtarë dhe që po shkelen me vetëdije”, tha Paloka.