Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka informuar SPAK-un për shantazh ndaj tij përmes dokumenteve të falsifikuara.
Ai ka njoftuar kreun e SPAK-ut Dumani për atë që e quan përpjekje kriminale pëer ta intimiduar përmes disa mesazheve në aplikacionin e mesazheve, Signal.
Bardhi i kërkon SPAK-ut të hetojë mesazhet që i kanë mbërritur në datën 28 shtator në Signal, ku sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar.
Bardhi ka deklaruar se mesazhi i ka shkuar nga një numër i paidentfikuar me emër përdoruesi “Mbreti Zog” ku i shkruan: “Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë”, mesazh që ia ka bashkangjitur letrës së dërguar në SPAK.
“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/EÇ që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor. Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre.” – thuhet në letrën e Bardhit drejtuar kreut të SPAK-ut, Dumani.