Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjet e sotme në Kuvend, ku opozita dogji karriget në oborrin e Parlamentit.
Ai komentoi ndikimin e politikës në shoqëri, duke theksuar se qeveria përpiqet të ndërtojë, ndërsa opozita të shkatërrojë.
Kryeministri theksoi se refuzimi i politikës si diçka të keqe është foshnjarak, duke inkurajuar qytetarët të angazhohen dhe të ndikojnë në vendimet politike. “Cdo gjë jashtë dyerve të shtëpisë lidhet me politikën,” shtoi ai.
“Duke ardhur përpara sesa të dëgjoja fjalët tuaja më dërgoi dikush këtë fotografi. Ky është një zjarr.
Një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë për tu ulur në ato karrige dhe për të përfaqësuar ata që i cojnë atje, në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate.
Pse e solla këtu këtë imazh? E solla sepse dua të them pak fjalë për politikën, e cila prej shumë kohësh në Shqipëri dhe vende të zhvilluara kalon ditë jo të mira në perceptim publik. Është një mjet që i ka bërë gjëra jashtëzakonisht të mëdha në historinë e njerëzimit, por ka bërë edhe katastrofa jashtëzakonisht të mëdha.
Refuzimi i politikës apriori si diçka e keqe, e piste, si diçka që më e mira është të mos ngatërrohesh është foshnjarak. Është e pamundur që ta vendosësh ti se çfarë politika bën apo nuk bën me ty.
Ti mund të vendosësh vetëm sesa ti mund ta ndikosh politikën duke u marrë me te. Në rast se ti i kthen kurrizin dhe refuzon të merresh me të, ajo ka gjithë pushtetin që të merret me ty. Cdo gjë jashtë dyerve të shtëpisë në ndërveprimet tona mes njerëzish lidhet me politikën dhe vendimet e saj.
Mes këtyre dy pamjeve, jo absolute, qëndron edhe ndarja këtu tek ne, mes nesh, që përpiqemi të ndërtojmë, shërojmë, mbjellim dhe atyre që nga ana tjetër shkatërrojmë, plagosin, shkulin, djegin.
Duke qenë kështu, Shqipëria ka humbur shumë kohë, nëse reforma që ne i kemi ndërmarrë pothuajse 25 vjet pas fillimit të të jetuarit tonë në liri, të ishin ndërmarrë jo 25 vjet më mbrapa, por 10, 15 edhe 20 sot do ishim shumë më para”, u shpreh me tej kryeministri.