SHBA-ja juglindore nisi një përpjekje të madhe pastrimi dhe rikuperimi të dielën ndërkohë që numri i të vdekurve u rrit në 100 pasi Uragani “Helene” ndërpreu energjinë për miliona, shkatërroi rrugë e ura dhe shkaktoi përmbytje dramatike nga Florida në Virxhinia.
Erërat, shiu dhe stuhia vranë të paktën 90 njerëz në Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut, Xhorxhia, Florida, Tenesi dhe Virxhinia, sipas një raporti të Reuters të zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë.
Me kullat e telefonave celularë jashtë funksionit në gjithë rajonin, qindra njerëz ende nuk kishin kontaktuar me të afërmit e tyre.
Vlerësimet e dëmeve shkojnë nga 15 miliardë dollarë në më shumë se 100 miliardë dollarë. Dëmtimi i pronës dhe prodhimi i humbur ekonomik do bëhen më të qarta kur autoritetet të kryejnë vlerësimet e tyre.
Në Karolinën e Veriut, pothuajse të gjitha vdekjet ishin në kontenë Buncombe, ku vdiqën 30 njerëz, tha Sherifi Quentin Miller në një videokonferencë me gazetarët.
Menaxherja e qarkut Avril Pinder tha se ajo po i kërkonte shtetit ushqim emergjent dhe ujë të pijshëm. Rrugët në qytetin piktoresk Asheville u zhytën nën ujë.
Karolina e Jugut raportoi 25 të vdekur, Xhorxhia 17 dhe Florida 11, sipas guvernatorëve të atyre shteteve.
CNN raportoi gjithsej 93 të vdekur në të gjithë Jugun, duke cituar zyrtarë shtetërorë dhe lokalë.
Presidenti Biden planifikon të vizitojë zonat e prekura këtë javë.
“Është tragjike,” u tha Biden gazetarëve të dielën, duke u zotuar për ndihmë për rimëkëmbje pasi deklaroi fatkeqësi të mëdha në Florida dhe Karolinën e Veriut dhe emergjenca në Florida, Karolinën e Veriut Tennessee, Karolinën e Jugut, Xhorxhia, Virxhinia dhe Alabama.
Kandidati republikan presidencial Donald Trump do vizitojë Valdosta, Xhorxhia, të hënën për të marrë një informim mbi dëmet e stuhisë dhe “të lehtësojë shpërndarjen e furnizimeve të ndihmave”, tha fushata e tij.
Helene u përplas në bregun e Gjirit të Floridës të enjten mbrëma, duke shkaktuar ditë të tëra shiu dhe duke shkatërruar shtëpitë.